Një oficer i ushtrisë, në repartin e forcave speciale “Komando”, u arrestua me akuzën e grabitjes. Oficeri që kishte kryer 5 misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan, përfundoi në pranga, pasi kërkohej prej disa muajsh me akuzën e grabitjes ndaj një biznesmeni në Durrës. Kujtim Çeliku, 33 vjeç, nga fshati Mullet i Tiranës, është arrestuar pas mesnatës duke gdhirë dita e djeshme. Ai u ndalua në shtëpinë e tij nga forcat e Komisariatit Nr.1. Ndaj Çelikut kishte një urdhër- ndalimi nga Prokuroria e Durrësit, pasi në bashkëpunim edhe me 3 persona të tjerë kanë grabitur një biznesmen, i cili merrej me tregti floriri. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në maj të këtij viti, pranë shtëpisë së biznesmenit me iniciale M.B., të cilit i kanë vjedhur çantën me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh. Por, pas arrestimit, akuza për grabitje nuk është e vetmja që do të rëndojë mbi 33-vjeçarin Çeliku, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, në Mullet të Tiranës, u gjetën edhe municione dhe kallëpe tritoli, që ai i mbante pa leje. Sipas burimeve nga policia mësohet se kapteri Kujtim Çeliku po përgatitej për një tjetër mision paqeruajtës në Irak, që do të niste pas dy javësh. Emri i Kujtim Muharrem Çelikut figuron në listën me 58 komando paqeruajtës, të cilët janë dekoruar në vitin 2003 me medaljen “Për Shërbime Ushtarake”, dhënë nga Presidenti i Republikës.
ARRESTIMI
Kapteri i Ushtrisë, Kujtim Çeliku, mbahej në vëzhgim prej gati një muaji nga forcat e Komisariatit Nr.1, të cilat ishin vënë në dijeni nga Policia e Durrësit për vendbanimin e tij. Pasi kanë siguruar informacionet e nevojshme, sipas të cilave i kërkuari për grabitjen e një biznesmeni ndodhej në banesën e tij në fshatin Mullet të Tiranës, forcat e policisë kanë nisur operacionin për arrestimin. Sipas burimeve, aksioni ka nisur pas mesnate, në të gdhirë të ditës së premte, duke rrethuar banesën e tij private, ku ai jetonte me gruan dhe djalin e mitur. Mësohet se Çeliku nuk ka bërë rezistencë në momentin që policia i ka kërkuar të dalë nga banesa. Pasi është njohur me akuzën, ai është afruar vetë drejt makinës së policisë, duke konfirmuar gjeneralitetet. Nga ana tjetër, efektivat e Komisariatit Nr.1 kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në banesën e tij dhe, në një dhomë që ai e mbante si magazinë, janë gjetur rreth 400 fishekë pistolete të kalibrit 9 milimetër. Gjithashtu, u gjetën dhe u sekuestruan edhe një pistoletë sportive, 3 kallepë tritol, 10 kapsolla detonatori, 3 metra fitil dinamiti, që sipas policisë, të gjitha mbaheshin pa leje. Burimet sqaruan se për arrestimin e tij u njoftua edhe Policia e Durrësit, e cila kishte bërë shpalljen në kërkim. Por, paraprakisht ai do të paraqitet për masë sigurimi në Gjykatën e Tiranës, me akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak”. Policia tha se në banesën e tij u gjet edhe një dokument, i cili vërtetonte se pas dy javësh Çeliku do të nisej sërish me mision paqeruajtës si ushtar “Komando”, në Irak.
Grabitja e biznesmenit në Durrës
Tiranë – Ngjarja për të cilën akuzohet dhe ishte shpallur në kërkim Kujtim Çeliku, ka ndodhur më 29 maj 2011, rreth orës 14:15, pranë tregut industrial, në lagjen nr.17, të qytetit të Durrësit. Grabitja e një sasie floriri, 176 unaza, me vlerë 30 milionë lekë, bëri që dy persona të vihen në pranga dhe dy të tjerë të shpalleshin në kërkim. Fillimisht, u arrestuan në flagrancë Ermal Sallaku, 22 vjeç dhe Florjand Hida, 23 vjeç, të dy banues në Tiranë. Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit shpalli në kërkim edhe Kujtim Çelikun, 33 vjeç dhe Elton Ruçin, 31 vjeç. Sipas Policisë, katër të dyshuarit kishin kohë që po planifikonin grabitjen, dhe sasia e floririt të grabitur ishte menduar të rifutej në treg te disa tregtarë të tjerë floriri, po në qytetin e Durrësit. Ata kishin bërë një vëzhgim të detajuar të lëvizjeve të biznesmenit të floririt, me iniciale M.B., 46 vjeç, që nga momenti që ai dilte nga banesa e tij, e deri në kohën kur futej në dyqanin ku tregtonte floririn. Më 29 maj, të dyshuarit kanë zbatuar një plan duke mundur të grabisin një çantë me bizhuteri nga bagazhi i automjetit tip “Benz” me targë DR 9195 C, pronë e biznesmenit M.B.. Nga ndërhyrja e një qytetari dhe një efektivi policie, të ndodhur në vendin e ngjarjes rastësisht, është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve dhe më pas është arrestuar edhe i dyti.
I arrestuari, 5 misione paqeruajtëse në Irak
Tiranë – Kujtim Çeliku e ka filluar karrieren e tij si ushtar profesionist që kur nisën misionet e para paqeruajtëse në Irak e Afganistan, duke qenë pjesë e forcave Komando të Ushtrisë Shqiptare, në kuadër të misioneve të NATOS-s. Ai arriti të gradohej në ushtri me gradën Kapter, në bazë të vlerësimeve dhe përgatitjes së tij, por edhe nga pjesëmarrja e herë pas hershme në misione të tilla. Në karrierën e tij, rezulton që 33-vjeçari Kujtim Muharrem Çeliku, të ketë marrë pjesë në 5 misione të tilla si pjesë e forcave Komando. Nga të dhënat rezulton që ai të ketë qenë me shërbime të tilla, tri herë në Irak dhe 2 herë në Afganistan. Ndërsa së fundi, brenda dy javësh, në rast se nuk do të arrestohej nga policia, do të niste misionin e tij të gjashtë drejt Irakut. Emri i Kujtim Muharrem Çelikut figuron në listën me 58 komando paqeruajtës, që janë dekoruar në vitin 2003 me medaljen “Për Shërbime Ushtarake”, dhënë nga Presidenti i Republikës. Medalja është dhënë nga kreu i shtetit, me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes, për të gjithë komandot që kishin përfunduar misionin e tyre paqeruajtës në Irak, në mbështetje të forcave të NATO-s. Kjo është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë, e cila u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për merita të veçanta në shërbimin ushtarak në Shqipëri dhe jashtë saj.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











