
Një agjenci e këmbimit valutor pranë Parlamentit, në qendër të Tiranës, u grabit mëngjesin e djeshëm nga dy persona të maskuar. Autorët e ngjarjes kanë përdorur thikat duke kërcënuar pronarin e pikës së këmbimit. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00 të mëngjesit, në rrugën “Xhorxh Bush”, kur pika e këmbimit të valutës sapo kishte hapur qepenin. Autorët, që me sa duket ishin në pritje të hapjes së pikës së exchange, në momentin kur kambisti Riza F. është futur brenda, kanë vendosur kapuçat për t’u maskuar dhe kanë hyrë menjëherë pas tij. Duke e kërcënuar me thikë dhe pasi e kanë goditur disa herë me grushte e shqelma, autorët kanë arritur të vjedhin nga kasa në pjesën e brendshme të banakut shumën prej një milion lekësh të rinj, të cilat i kanë futur në një çantë plastike dhe janë larguar. Menjëherë pas ngjarjes, pronari i agjencisë së këmbimit valutor ka lajmëruar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke denoncuar grabitjen që kishte ndodhur në biznesin e tij. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet më të afërta të policisë, nga Komisariati Nr.1 e më pas edhe oficerë të Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Policia ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të grabitjes, ndonëse ende nuk është bërë i mundur krijimi i ndonjë identikiti të përafërt për ta.
GRABITJA
Në një distancë mjaft të afërt nga qendra e kryeqytetit, po ashtu edhe nga godina e Parlamentit, në një prej zonë që patrullohet vazhdimisht nga policia, grabitësit kanë arritur të gjejnë terren dhe të realizojnë vjedhjen e radhës. Dy persona të maskuar dhe me thika kanë arritur të vjedhin shumën prej 1 milion lekësh të rinj në një agjenci këmbimi valutor, duke keqtrajtuar pronarin. E menjëherë pasi kanë arritur qëllimin e tyre, janë larguar pa u diktuar nga askush, duke përdorur një motor pa targa që e kishin lënë pranë derës së dyqanit. Burime nga Policia thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit, kur Riza F. sapo ka hapur dyqanin dhe ende nuk kishte vënë në punë sistemin e sigurisë së dyqanit, në mënyrë që të mund të sinjalizonte policinë. Gjithashtu sipas Policisë, në dyqan nuk ka pasur as kamera sigurie të aktivizuara, që mund të vinin në ndihmë në identifikimin e autorëve. Policia ka sekuestruar disa gjurmë gishtash në vendin e ngjarjes, si të vetmen provë që mund t’i ndihmojë në kapjen e autorëve. Nga ana tjetër, Mana, gjatë deklarimeve të tij ka dhënë një përshkrim të përafërt të autorëve, por pa arritur të përshkruajë fytyrat e tyre, pasi sipas tij ata kanë qenë të maskuar. Sipas kambistit, dy autorët e grabitjes mund të jenë në moshë të re, rreth 20-25 vjeç, të veshur me xhinse e xhupa të zinj dhe pas vjedhjes janë larguar me një motor pa targa.
1 milion
lekë të rinj është shuma e parave që kanë arritur të grabisin dy persona të maskuar në një agjenci të këmbimit valutor në rrugën përballë Parlamentit, në qendër të Tiranës
Grabitjet me dhunë
Grabitjet nën kërcënimin e armëve të ftohta apo armëve të zjarrit janë kthyer në një nga krimet kryesore që ndodhin në territorin e kryeqytetit. Vjedhja e bankave, pikave të këmbimit të valutës apo filialeve të ndryshme që arkëtojnë pagesat e ujit apo energjisë elektrike, përbën një nga krimet më problematike për policinë. Hetimi në këto raste është i vështirë pasi autorët janë të maskuar dhe veprojnë shpejt duke lënë gjurmë në mënyrë minimale. Këto vepra penale paraqesin rrezikshmëri për jetën e qytetarëve pasi realizohen me anë të kërcënimin dhe frikësimit por nga ana tjetër sjellin edhe fitime financiare për autorët.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











