TIRANE – Një minimarket në Unazën e Re të Tiranës, u grabit dje në mbrëmje nga dy persona të maskuar, të cilët kërcënuan me thikë pronarin. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, vetëm disa metra larg kryqëzimit të Unazës së Re me Rrugën e Kavajës në kryeqytet, në dyqanin në pronësi të Nezir Hysenit. Sipas burimeve nga Policia e Komisariatit Nr.6, Hyseni ka qenë duke mbyllur aktivitetin e tij dhe ndodhej i vetëm në minimarket, kur brenda janë futur dy persona të maskuar me kapuça të zinj në kokë. Njëri prej tyre i ka vënë thikën në qafë, duke e urdhëruar që të mos lëvizte, ndryshe do ta vriste. Ndërsa tjetri ka arritur të marrë nga kasa xhiron ditore të dyqanit, rreth 200 mijë lekë të vjetra. Gjithashtu, autorët kanë vjedhur edhe një sasi kartash rimbushëse celularësh të kompanive të ndryshme, si dhe karta rimbushëse satelitore. Më pas, të dy grabitësit janë larguar duke hipur në një makinë të parkuar në anë të rrugës, të cilën pronari Nezir Hyseni nuk ka mundur ta verifikojë nga targa, për shkak të errësirës. Menjëherë sapo autorët janë larguar, tregtari Hyseni ka lajmëruar në sallën operative dhe në vendin e ngjarjes janë nisur forca të shumta policie, të cilët kanë marrë edhe deklarimin e të dëmtuarit. Sipas burimeve, mësohet se Nezir Hyseni ka dhënë përshkrimet për pamjen fizike të dy autorëve, që sipas tij ishin rreth të 20-ave, por fytyrat nuk ka mundur t’ua shohë për shkak se ata kishin vënë kapuça në kokë. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe për të identifikuar autorët e grabitjes.











