Ngjarja tek 9-katëshet, policia sekuestron bizhuteritë e vjedhura dhe paratë e përfituara nga shitja
Tiranë, arrestohen 2 prej autorëve të vjedhjes, i treti në kërkim
Tre të rinj me maska dhe armë kanë grabitur një banesë në Tiranë, duke terrorizuar një vajzë 13-vjeçare, e vetmja që ndodhej në shtëpi në momentin e ngjarjes. Një prej autorëve ka mbajtur vajzën, duke i mbyllur gojën me duar dhe e ka kërcënuar me armë që të mos bërtiste, ndërsa dy të tjerët kanë vjedhur bizhuteritë e të ëmës së saj, që ndodheshin në dhomën e gjumit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, në banesën private të Veledin Brahimit, që ndodhet pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se, duke përdorur metodat speciale të hetimit, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i dy prej autorëve, ndërsa bashkëpunëtori tjetër i tyre është shpallur në kërkim. Sipas Policisë, dy të arrestuarit janë Serxho Muho, 23 vjeç dhe Luan Maçi, 27 vjeç, ky i fundit i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje”. Ndërsa është shpallur në kërkim 28-vjeçari Elton Sako, i cili gjithashtu ka marrë pjesë në grabitje. Policia tha se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa prej bizhuterive të vjedhura, si dhe një shumë prej 13 mijë lekësh të rinj, që kishin përfituar nga shitja e një varëseje dhe një unaze floriri që kishin grabitur.
GRABITJA
Rreth orës 18:30 të së premtes, kur Veledin Brahimi ka dalë nga shtëpia e tij, në rrugën “Qemal Stafa”, në Tiranë, bashkë me pjesëtarët e tjetër të familjes, tre të rinj që sipas Policisë kanë qenë duke “vëzhguar” lëvizjet e tij, kanë nisur të vënë në zbatim planin për t’i grabitur shtëpinë. Grabitësit kanë qenë në dijeni se vajza 13-vjeçare e Brahimit ndodhej vetëm në shtëpi, pasi ajo kishte mbyllur derën në momentin kur familjarët e saj kanë dalë. E megjithatë, ata kanë vazhduar planin e tyre, duke trokitur në derë, të cilën e ka hapur vajza që ndodhej në shtëpi. Menjëherë sapo ajo ka hapur derën, njëri nga grabitësit e ka kapur në krahë duke i mbyllur gojën me dorë, në mënyrë që të mos bërtiste për të kërkuar ndihmë. Ndërsa me dorën tjetër e ka kërcënuar me pistoletë, duke ia drejtuar në kokë. Dy bashkëpunëtorët e tij janë drejtuar në dhomën e gjumit të prindërve të 13-vjeçares dhe kanë marrë të gjitha bizhuteritë që ndodheshin aty dhe më pas janë larguar. Sapo janë larguar grabitësit, vajza e terrorizuar ka telefonuar prindërit e më pas është lajmëruar për ngjarjen edhe policia.
Përfitimi
Menjëherë pas vjedhjes së kryer në banesën ku ndodhej vetëm një 13-vjeçare, autorët e ngjarjes janë përpjekur të shesin sendet e grabitura. Policia u ka bllokuar atyre një shumë prej 130 mijë lekësh, e cila është përfituar nga shitja e sendeve të vjedhura. Po kështu, gjatë arrestimit të të dyshuarve, policia ka sekuestruar edhe pjesën e bizhuterive që autorët nuk kishin arritur ta shisnin.
Hetimi
Vajza 13-vjeçare, e cila ndodhej në banesën e vjedhur, i ka dhënë ndihmesë policisë në lidhje me identifikimin e autorëve të ngjarjes. Fillimisht emrat e të dyshuarve janë mësuar nga gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes, por më pas, të dyshuarit janë ballafaquar me 13-vjeçaren, e cila i ka konfirmuar policisë ngjashmërinë trupore me grabitësit e banesës. Edhe pse kanë qenë me maska, vajza ka thënë se të dyshuarit “ngjanin” me personat që hynë në shtëpinë e saj.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











