Grabitësit e taksistit, gjobë biznesmenit

Sep 22, 2011 | 11:29

Tirane – Tre të rinj të arrestuar dy ditë më parë me akuzën e grabitjes së një taksisti, dyshohet se kanë kryer veprën penale të gjobëvënies ndaj një biznesmeni të materialeve të mermerit në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, Bujar Leka, Eduart Muja dhe Murat Rexha kanë kërcënuar biznesmenin Gafurr Metaj, të cilit i kërkonin 4 mijë euro, në këmbim të një makine që i kishin mbajtur peng. Nga të dhënat hetimore, njëri prej autorëve, i cili ishte i punësuar si shofer në dyqanet e mermerit që Metaj ka në Tiranë, është larguar drejt Kukësit me makinën e punës dhe më pas ka nisur kërcënimet ndaj biznesmenit me anë të telefonit. Sipas Policisë, tre të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë kërkuar Gafurr Mujës 4 mijë euro, në formën e gjobës, në mënyrë që t’i kthenin makinën. Por mësohet se ata nuk arritën asnjëherë t’i merrnin ato para, pasi i dëmtuari njoftoi Policinë e Tiranës dhe oficerët e seksionit të vjedhjeve me dhunë dhe armë nisën hetimet dhe disa javë pas denoncimit arrestuan autorët. Policia tha se gjithashtu është shpallur në kërkim edhe një person nga Lezha, 27 vjeç, me inicialet V. K., i cili u ka dhënë të arrestuarve armën me të cilën ata kryenin grabitjet. Veç gjobëvënies ndaj biznesmenit të mermerit Gafurr Metaj, i cili administron 3 dyqane në Tiranë, personat që i kërkuan 4 mijë euro në këmbim të një makine që mbanin peng, rezultojnë të kenë kryer edhe disa grabitje me armë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, është provuar autorësia e të arrestuarve edhe në dy grabitje të tjera, por dyshohen edhe për disa vjedhje që kanë ndodhur që nga fillimi i këtij viti në kryeqytet. E para, e provuar, për të cilën edhe u arrestuan fillimisht, është grabitja e taksistit Tomor Salillari, të cilit i janë paraqitur si klientë. Fillimisht e kanë marrë në telefon dhe e kanë takuar tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë e më pas i kanë vjedhur nën kërcënimin e armës makinën tip “Benz 250” me targë TR 6245 I, paratë dhe celularët, duke e zbritur me dhunë nga taksia, në afërsi të Çekrezës, sa kalon Kamzën. Për këtë ngjarje, veç autorëve, Bujar Leka dhe Murat Rexha, policia arrestoi në Kukës edhe Eduart Mujën, me akuzën e “përvetësimit të mallrave të vjedhura”, pasi ai kishte blerë taksinë e grabitur për 400 mijë lekë të vjetër. Gjithashtu, të dyshuarit janë autorë edhe të grabitjes me armë të dy vëllezërve, Fatjon dhe Edison Pepkolaj, vjedhje kjo e ndodhur më 4 mars 2011, në fshatin Kasallë, Tiranë. Të rinjtë, duke i kërcënuar me armë, u kanë vjedhur vëllezërve, që udhëtonin me makinë bashkë me familjen, 200 mijë lekë të vjetër.

© Panorama.al

Te lidhura