Grabitës me armë në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë

Dec 24, 2011 | 13:13

Një person i armatosur ka qëlluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në drejtim të një autoveture taksi me targë TR 101 C, e cila po qarkullonte në rrugën kombëtare Elbasan – Tiranë, nëpërmjet Qafë-Kërrabës. Nëndrejtori i Policisë, Rezar Velmishi, ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit të së premtes, në vendin e quajtur “Çezma e Kasinjies”, në afërsi të fshatit Fikas në komunën e Bradasheshit, rreth 10 km larg qytetit të Elbasanit. Po sipas Velmishit, drejtuesi i mjetit taksi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka treguar në komisariatin e policisë se teksa po ngjitej drejt Qafë-Kërrabës, ka vënë re disa gurë mbi trasenë e rrugës automobilistike, të cilët ka dyshuar se ishin vënë qëllimisht nga dikush. I vetëm në këtë rrugë duke dyshuar se gurët janë vendosur me qëllim, drejtuesi ka ulur shpejtësinë dhe sapo është afruar pranë rrugës së “bllokuar” me gurë, ka dalluar hijen e një personi të armatosur. Drejtuesi është detyruar të ecë mbrapsht dhe në këtë moment shtetasi i paidentifikuar ka qëlluar një herë me armë gjahu teke drejt mjetit me plumb, i cili ka prekur parakolpin e mjetit. Më pas drejtuesi është kthyer mbrapsht dhe ka bërë denoncim në polici, ndërsa personi i armatosur është larguar drejt zonës së ullishtës. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe mësohet se deri tani janë shoqëruar pesë persona në komisariat, të cilët njihen si persona me probleme në këtë zonë. Sipas Velmishit, dyshohet se autori është nga zona përreth ku ka ndodhur dhe ngjarja në fjalë. “Për këtë arsye ne kemi shoqëruar pesë persona në polici dhe jemi duke hetuar për të kapur autorin e ngjarjes, i cili dyshohet se ka pasur si plan të plaçkitë drejtuesin e mjetit tip taksi”. Burime të besueshme konfirmuan se në rrethana gati të ngjashme, në mesjavë, në qytetin e Elbasanit u grabit arka e një pike karburante në afërsi të Doganës së Elbasanit. Dyshime mjaft të forta për autorësinë e grabitësve me armë e maska në dy ngjarjet e fundit janë hedhur mbi shtetasin Lulzim Paja nga Shtërmeni, i cili është i dënuari me 17 vite burg që nuk u rikthye më në institutin e ekzekutimit të dënimeve penale në Peqin pas lejes dyjavore që i kishte mbaruar të dielën e fundit. Gjithsesi, policia po heton në të gjitha pistat e mundshme për zbardhjen e ngjarjeve më të fundit të ndodhura në Elbasan.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura