Grabiten me armë 400 mijë lekë në filialin e bankës

Dec 22, 2011 | 11:24

Foto ilustruese

Laprakë, autorët thyen xhamat e neutralizuan rojën.

Filiali i një banke të nivelit të dytë në Tiranë u grabit mëngjesin e djeshëm vetëm gjysmë ore pasi kishte nisur aktivitetin. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00, kur tre persona të maskuar u futën të armatosur në filialin e bankës në zonën e Laprakës. Sipas burimeve policore, nisur edhe nga dëshmitë e punonjësve të bankës, autorët kanë thyer xhamin e sportelit të brendshëm ku ndodhet arka, nga ku kanë marrë rreth 400 mijë lekë. Në momentin e ngjarjes, brenda bankës nuk kishte asnjë klient, por kanë qenë të pranishëm punonjësit, të cilët nuk kanë arritur në kohë të aktivizojnë alarmin për të lajmëruar policinë, pasi janë gjendur në befasi. Policia tha se dy persona të maskuar janë futur brenda dhe kanë kërcënuar se do t’i qëllonin nëse do të bënin ndonjë lëvizje për të dhënë alarmin e grabitjes. Personi i tretë ka qëndruar jashtë, duke mbajtur nën kontroll situatën dhe rojën e sigurisë së bankës. Sipas dëshmisë që punonjësit e bankës dhanë për oficerët e seksionit kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë, autorët i kanë kërcënuar dhe kanë thyer xhamin e sportelit duke marrë shumën e parave, por për shkak se kanë qenë të maskuar, nuk kanë arritur t’i identifikojnë. Nga ngjarja ka pasur vetëm dëme materiale me thyerje të xhamave dhe pajisjeve, por jo pasoja njerëzore, pasi punonjësit apo roja i filialit nuk kanë pasur kohë të kundërshtojnë.
Hetimi
Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se ende nuk është konfirmuar përfundimisht shuma e parave të grabitura, por paraprakisht dyshohet se personat kanë arritur të marrin rreth 400 mijë lekë. Grabitja nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta dhe autorët, pasi kanë marrë paratë, janë larguar me shpejtësi dhe sipas Policisë, dyshohet se në rrugën kryesore i priste një automjet, që ende nuk është identifikuar nga policia. Nga mënyra e veprimit duket se autorët e kanë menduar mirë çdo detaj të grabitjes që do të kryenin. Roja i sigurisë dhe punonjësit e tjerë të bankës kanë njoftuar policinë për ngjarjen. Dyshohet se autorët e grabitjes janë larguar në drejtim të Kamzës ose në thellësi të zonës në Laprakë. Menjëherë pas ngjarjes u ngrit një grup i përbashkët hetimor nga Policia e kryeqytetit dhe personeli i sigurisë së bankës, me qëllim zbulimin e ndonjë gjurme të mundshme të autorëve të lëna në vendin e ngjarjes. Policia tha se në vendin e ngjarjes u morën në pyetje edhe punonjësit e bankës, të cilët treguan gjithçka kishte ndodhur brenda pak minutash nën kërcënimin e armës dhe pamundësinë e tyre për të sinjalizuar policinë. Policia shoqëroi dje gjatë gjithë ditës dhjetëra persona rreth vendit të ngjarjes në cilësinë e të dyshuarve, të cilët pas marrjes në pyetje u lanë sërish të lirë.

Kamerat
Policia e Tiranës ka nisur hetimet menjëherë pas grabitjes së filialit të bankës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Veç dëshmive të punonjësve dhe rojës së sigurisë që ndodhej, oficerët e grupit hetimor kanë sekuestruar si provë mjaft të rëndësishme edhe kasetat me pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së bankës. Hetues nga policia thanë se pavarësisht se pamjet janë të qarta, për shkak të pozicionit të vendosjes së kamerave, është mjaft i vështirë identifikimi i autorëve. Përveç faktit se ata kanë qenë të maskuar, janë treguar të kujdesshëm ndaj kamerave të bankës, duke mos qëndruar në asnjë moment përballë tyre.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura