Grabiten 20 mijë euro në exchange

May 4, 2011 | 11:31
Pika e këmbimit ku ndodhi grabitja

Dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën dje një pikë këmbimi të valutës në Tiranë, ku dyshohet se kanë përfituar 20 mijë euro e 7 mijë dollarë.Ngjarja ndodhi rreth orës 16:20, në një Exchange që ndodhet në bulevardin “Bajram Curri”, përballë ish-ekspozitës “Shqipëria sot”. Sipas Policisë, në momentin kur ndodhi grabitja, në dyqanin e këmbimit valutor ndodheshin dy punonjës, një grua e një burrë. Autorët kanë arritur të grabisin të gjitha paratë që ndodheshin në kasë, duke i kërcënuar me pistoletë dy punonjësit. Sipas punonjësve të Exchange-it, autorët e vjedhjes me armë kanë qenë të maskuar me kapuça të zinj në kokë dhe në duar mbanin pistoleta. Pasi kanë marrë çantën e mbushur me para, ata janë larguar me një motor, duke kaluar në rrugicën përbri lulishtes “1 Maji” dhe më pas janë “zhdukur”. Policia e Komisariatit Nr.2 është sinjalizuar për ngjarjen nga sistemi i alarmit që kishte dyqani i këmbimit valutor. Menjëherë pas largimit të grabitësve, dy punëtorët kanë shtypur butonin e alarmit. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie nga Komisariati Nr.2, si dhe nga seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Hetuesit kanë marrë në pyetje dy punëtorët e Exchange-it, të cilët kanë qenë kontradiktorë në lidhje me deklarimin e shumës së parave të grabitura. Më pas shuma e vjedhur është përcaktuar pas llogaritjes së kryer nga veprimtaria ditore e këmbimit valutor, duke arritur në përfundimin se autorët kishin arritur të grabisin rreth 20 mijë euro dhe 7 mijë dollarë.
GRABITJA
Dhjetëra dëshmitarë të grabitjes së pikës së këmbimit valutor, si dhe dy punonjësit, treguan në polici rrethanat se si ndodhi ngjarja. Sipas dëshmive okulare, dy djem të rinj kanë ndaluar me motor para dyqanit Exchange dhe janë futur brenda me kapuça të zinj në kokë. Sipas punonjësve të dyqanit, të dy autorët ishin të armatosur me pistoleta. Njëri prej autorëve ka qëndruar tek dera e dyqanit, ndërsa tjetri ka mbajtur situatën nën kontroll, duke i drejtuar armën njërit punonjës dhe ka detyruar gruan që t’i fuste në një çantë të zezë të gjitha paratë që ndodheshin aty. Burime nga Policia thanë se dy punonjësit e Exchange-it kanë dhënë deklarime kontradiktore gjatë marrjes në pyetje, rreth shumës së parave të grabitura. Fillimisht ata kanë deklaruar që personat e maskuar dhe me armë kishin arritur të vidhnin 15 mijë euro. Pak më vonë shumën e vjedhur ata e kanë përshkruar deri në 100 milionë lekë të reja. Por pasi është bërë përllogaritja, bashkë me pronarin e pikës së këmbimit valutor dhe ekspertëve të policisë, ka rezultuar se autorët kanë arritur të grabisin 20 mijë euro dhe 7 mijë dollarë. Grupi hetimor ka nisur hetimet rreth ngjarjes dhe po punon për identifikimin e autorëve.

20 mije
euro dhe 7 mijë dollarë është përllogaritur shuma e parave që u grabitën pasditen e djeshme në një pikë të këmbimit valutor në Tiranë, nga persona të maskuar dhe të armatosur

Grabitet supermarketi me armë lodër

Një tjetër grabitje ndodhi mbrëmjen e djeshme në një supermarket pranë shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë. Dy persona të pa maskuar, me një levë hekuri dhe një pistoletë që më vonë rezultoi të ishte lodër, kanë grabitur të gjitha paratë që ndodheshin në kasën e supermarketit “Euromax”, rreth 5 milionë lekë të vjetra, duke kërcënuar punëtorët. Burime nga Policia e Tiranës thanë se ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 dhe në momentin kur grabitësit janë futur në supermarket, përveç punonjësve aty ndodheshin edhe disa klientë, të cilët janë alarmuar nga ngjarja. Autorët sipas Policisë kanë vjedhur vetëm paratë që ndodheshin në kasë dhe më pas janë larguar me një motor. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së supermarketit dhe po punon për identifikimin e autorëve, të cilët sipas dëshmitarëve nuk kanë pasur maska në fytyrë.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura