Grabiten 2 mln lekë nga kasaforta e biznesmenit

Dec 13, 2011 | 14:16

Grabitet banesa e një biznesmeni në Tiranë. Persona ende të paidentifikuar i marrin nga kasaforta rreth 2 milionë lekë. Ngjarja, sipas denoncimit, dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e diel, por vjedhja është konstatuar në orët e paradites së hënë, kur biznesmeni Llambro Papa ka gjetur kasafortën të hapur. Pasi ka kontrolluar kasafortën, sipas përshkrimeve të dhëna në polici, biznesmeni ka vënë re që i mungonte shuma e parave që kishte aty, rreth 2 milionë lekë, si dhe dokumente të ndryshme të biznesit të tij të tregtimit të dyshekëve. Menjëherë pasi ka parë që mungonin paratë, 50-vjeçari Papa ka lajmëruar në Sallën Operative duke denoncuar grabitjen. Drejt vendit të ngjarjes, në rrugën “Tre vëllezërit Kondi”, ku banon familja e biznesmenit, janë nisur efektivat e Komisariatit Nr. 1, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. I dëmtuari, gjatë deklarimeve të tij ka shpjeguar se nuk mund të përcaktojë saktë se kur mund të jetë kryer grabitja, pasi mungesën e parave në kasafortë e ka vënë re rastësisht kur po kërkonte disa dokumente. Policia tha se biznesmeni ka deklaruar se nuk ka ndjerë asnjë zhurmë, edhe pse ndodhej në shtëpi bashkë me anëtarët e tjerë të familjes.
HETIMI
Gjatë këqyrjes së apartamentit të biznesmenit Llambro Papa, grupi hetimor ka konstatuar gjurmë të lëna te dritarja e dhomës së gjumit, në katin e dytë të pallatit ku ka ndodhur vjedhja. Sipas burimeve të Policisë dyshohet se autorët e ngjarjes kanë arritur të hyjnë brenda apartamentit pikërisht nga dritarja e dhomës së gjumit, që mund të jetë harruar hapur nga pakujdesia e familjarëve. Në të njëjtën dhomë ndodhej edhe kasaforta ku biznesmeni mbante një pjesë të parave që fitonte nga tregtia e dyshekëve, që sipas tij, mund të kenë qenë rreth 2 milionë lekë (të rinj). Ende nuk është e qartë se si kanë arritur autorët të hapin kasafortën ku mbaheshin paratë, pasi familjarët nuk mund të kujtojnë nëse ka qenë e mbyllur apo e hapur. Ekspertët kriminalistë kanë mbledhur të gjitha provat në vendin e ngjarjes, duke fiksuar edhe disa gjurmë gishtash në dritare dhe në kasafortë, të cilat do të ekzaminohen në Laboratorin e Kriminalistikës. Ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ka dyshime të forta se personat që kanë realizuar grabitjen mund të jenë të mirinformuar për vendndodhjen e kasafortës së biznesmenit. Por nuk përjashtohet mundësia që ngjarja mund të jetë organizuar edhe nga ndonjë i njohur apo i afërm i 50-vjeçarit Llambro Papa.

2 milione
lekë (të rinj) është shuma financiare e grabitur nga banesa e biznesmenit. Policia mësohet se po heton për autorët, por edhe për saktësimin e shumës së parave të vjedhura

Gjurmët
Autorët e vjedhjes së banesës së biznesmenit mësohet se kanë lënë disa gjurmë gishtash gjatë veprimeve që kanë kryer në brendësi të shtëpisë së tregtarit. Gjurmët në fjalë janë gjetur nga policia e cila ka bërë administrimin e provave të vendit të ngjarjes. Grupi i hetimit është duke krahasuar shenjat e gishtave të gjetura në banesë me gjurmët e personazheve të skeduara deri tani në arkivin e policisë për vepra të ndryshme penale. Krahas veprimeve procedurale në fjalë mësohet se policia ka shoqëruar për verifikime disa persona të dyshuar për vjedhje e grabitje në zonën ku ndodhi ngjarja.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura