Situata postzgjedhore në Himarë është më e qetë nga sa parashikohej. Asnjë militant a simpatizant i Vasil Bollanos apo kandidatëve të tjerë për postin e kreut të bashkisë nuk e ka kontestuar verdiktin e dhënë nëpërmjet votës së qytetarëve himariotë.Me sa duket, qytetaria e vetë humbësit, Bollanos, i cili është parë me fituesin e bashkisë, Gjergji Goron, ka reflektuar evitimin e konflikteve ndërmjet banorëve. Zona e Himarës është shoqëruar në çdo zgjedhje, si ato vendore dhe qendrore, me incidente të rënda ndërmjet militantëve.
Gjatë të gjitha këtyre ditëve, situata në Himarë paraqitej e njëjtë. Njësitë tregtare, institucionet, shkollat e gjithçka tjetër funksionon normalisht. Bollano është shfaqur në Himarë i qetë, ndërsa nuk ka provokuar asnjë incident me mbështetësit e tij. Ai ka uruar kryetarin e ri të Bashkisë së Himarës për një punë të mbarë. Ky i fundit, dje u shpreh i kënaqur për frymën e krijuar në qytetin që ai qeveris, ndërsa ka falënderuar të gjithë banorët që i besuan atij votën.
Z. Goro, ju ishit përballë një kandidati të fortë në Himarë, kryetarit të Bashkisë së saj, Vasil Bollano, i cili kishte arritur të merrte dy mandate në krye të kësaj Bashkie. Si ndiheni tani pas katër ditësh, ku fitorja juaj është përfolur si një ndër më surprizueset në zgjedhjet e 8 majit?
Ndihem i gëzuar që banorët e Himarës më besuan votën e tyre. Kam qenë gjatë të gjithë këtyre ditëve i emocionuar. Tashmë po pushoj dhe po marr pak veten, edhe pse telefoni nuk më hiqet nga veshi për shkak të urimeve të shumta. Do qetësohem dhe pak ditë e më pas do rifillojë puna intensive.
Si e kanë pritur banorët e Himarës fitoren tuaj dhe humbjen e Bollanos?
Ne jemi himariotë dhe të gjithë punojmë për Himarën dhe zonat përreth, për mirëqenien e këtyre banorëve. Sigurisht që fitoren time e mirëpritën. Kanë qenë të kënaqur të gjithë banorët, sepse vota e tyre shkoi atje ku ata dëshironin dhe nuk shkoi kot. Shumë urime kam marrë dhe nga ata që nuk më votuan. Për këtë fakt më vjen mirë, sepse unë jam kryetari i Bashkisë të gjithë himariotëve.
Po për humbjen e Bollanos…
Për humbjen e Bollanos mund të them se u justifikua dhe u mirëprit jo vetëm nga ata që e votuan kundër, por dhe nga ata që votuan për të. Të gjithë respektuan njëri-tjetrin, ashtu si e pranoi dhe vetë Bollano humbjen në mënyrë civile dhe njerëzore.
Mbas fitores suaj në krye të Bashkisë së Himarës, je takuar me Bollanon, si ka qenë reagimi i tij?
Sapo u konfirmua në KZAZ-në përkatëse në Vlorë fitorja ime dhe humbja e Bollanos, ai më ka uruar me mesazh telefonik. Mbasi ka ardhur në Himarë, më ka takuar dhe më ka uruar për fitoren. Madje, Bollano është treguar shumë njerëzor dhe shumë qytetar. Në ditët në vazhdim ai do të bëjë dhe dorëzimet, si dhe do flasim për gjithçka, për të mirën e himariotëve, si dhe për projektet që janë në vazhdim, që t’i çojmë ato më tej.
Kur fillon puna juaj si kryetar i Bashkisë së Himarës?
Pas përfundimit të votimeve, konfirmimit të fitores, tashmë jam duke u qetësuar. Po pres konstituimin e Këshillit të Bashkisë sipas ligjit dhe konfirmimin tim nga Komisioni Qendror Zgjedhor sipas afateve të ligjit. Më pas do të fillojmë punën për projektet e mëdha të Himarës dhe zonave përreth saj, si një zonë turistike. Do të punojmë për garantimin e një sezoni turistik të suksesshëm, pa ndërprerë investimet në të gjithë zonën. HIMARE/ QEMAL BIRAKU
Berat, Këshilli Bashkiak ndahet në gjysmë
BERAT- Pas fitores së Bashkisë së Beratit nga kreu aktual, Fadil Nasufi, duket se projektet e këtij qyteti do të mbeten ende pezull, meqenëse e majta nuk arriti dot të merrte shumicën në këshillin bashkiak. Mandatin e kaluar ky këshill ishte me shumicë të së djathtës. Edhe në këto zgjedhje, koalicionet nuk e kanë mundur të dominojnë me shumicë. Nga 34 këshilltarë, 17 i përkasin koalicionit të djathtë dhe 17, të majtës. Partia Socialiste ka marrë 12 këshilltarë të saj dhe 5 këshilltarë të forcave të tjera të koalicionit të saj. Ndërsa Partia Demokratike ka fituar 8 këshilltarë, ndërsa pjesë tjetër i përket LSI-së dhe forcave të tjera aleate. Në 4 vitet e kaluara këshilli bashkiak disa herë ka bllokuar veprimtarinë e Bashkisë. Nasufi është shprehur pas fitores se do të punojë me kujdes me këshilltarët e djathtë për të mirën e qytetit të Beratit. “Vendimmarrja në këshill do të jetë nga të dy palët”, ka theksuar ai më tej, duke e argumentuar këtë si të vetmen rrugë për të mirën e qytetit. d.xh
Mat, fitoret e kandidatëve festohen me kallashë
BURREL- Emocione ka dhuruar numërimi i votave për Bashkinë e Tiranës edhe në qytetet e tjera të vendit. Mijëra njerëz gjatë këtyre ditëve, përfshirë edhe atë të djeshmen, janë mbyllur në shtëpitë e tyre dhe ndiqnin numërimin e votave. Menjëherë pas numërimit të kutisë së fundit në Tiranë, militantët e të dy kaheve politike nisën festën nëpër rrugë me makina e flamuj. Ndërkohë, në fshatrat e rrethit të Matit dëgjoheshin krisma armësh. Militantët i gëzoheshin fitores së kandidatëve të preferuar. Ndërsa kallashët dhe krismat e tyre kanë rrezikuar jetën e banorëve. Festa në qytetin e Burrelit ishte më e zjarrtë nga militantët e PS-së, pasi një javë më parë ata fituan edhe bashkinë me Adelina Farricin. Policia nuk njoftoi incidente apo përplasje mes militantësh, megjithatë, prania e armëve në familjet matjane përbën një problem që kërkon zgjidhje. E njëjta situatë paraqitet në çdo rast feste, ku banorët e demonstrojnë gëzimin e tyre me breshëri automatike. h. p











