“Nuk duhet lejuar “sulmi” i postave private. Shërbimi postar po përballet me sfidat e reja, por liberalizimi i zonës së rezervuar është në dëm të këtij shërbimi.” Kështu deklaroi dje drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, gjatë një seminari që po mbahet në Durrës. “Liberalizimi i zonës së rezervuar, rritja në mënyrë marramendëse e komunikimeve elektronike që kanë sjellë në një farë mënyrë një lloj hemoragjie për shërbimin postar. Ju garantoj që uniformën e postierit, trokitjen e ngrohtë në derën e qytetarit dhe misionin e tij historik nuk mund ta zëvendësojë koha moderne”, tha Gorea. Përfaqësuesit e lartë të Unionit Postar dhe Post Europe thanë se objektivi i përgjithshëm i këtij seminari është përdorimi dhe përmirësimi i rrjetit postar, që të funksionojë në mënyrë sa më të mirë në të gjitha vendet anëtare të Post Europës.











