Godos i jepet lamtumira e fundit, kujtimet, letrat e pabotuara

Dec 5, 2011 | 12:07

Dje, gjate ceremonise mortore per Sabri Godon

Mijëra në varrim, Sabri Godos i jepet lamtumira e fundit.

Beja: Sot përcjellim një personalitet, një njeri të letrave, të arsyes dhe maturisë

Kurora me lule, tinguj funebër dhe pikëllim shoqëruan dje ceremoninë mortore të politikanit dhe shkrimtarit Sabri Godo, që u nda nga jeta dy ditë më parë, në moshën 82-vjeçare. Gjithçka nisi publikisht në orën 12:15, kur trupi i pajetë, i mbuluar me flamurin kuq e zi, u nxor nga banesa e tij dhe u vendos në Kuvend për homazhe. Çerek ore më pas, ashtu siç ishte njoftuar, nisi zyrtarisht ceremonia. Çeljen e saj e bëri kryetari aktual i republikanëve, Fatmir Mediu, i cili la shënim i pari në librin e ngushëllimeve. Sakaq, radha për t’i dhënë lamtumirën “plakut të urtë” u bë marramendëse, aq sa edhe në përfundim të homazheve pati dhjetëra qytetarë që nuk ngushëlluan dot.
Figurat publike
Të privilegjuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit Godos, kanë qenë figurat publike. Presidenti Topi ishte më i hershmi në rangun e personaliteteve, ndërsa pas tij ishin ambasadorët: i OSBE-së Eugen Volfarth; i BE-së, Etore Sequi; i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu; e Britanisë, Fiona McIlwham. Një vizitë e veçantë u konsiderua ajo e Liri Belishovës, shoqe që nga koha e luftës partizane. U fut brenda e vetme, por doli që andej me shumë njerëz që e ngushëllonin. Nga ora 13:25 e deri në përfundim, ngushëlluan kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ish-presidenti Rexhep Meidani, deputetët e PS-së Gramoz Ruci, Ben Blushi, Namik Dokle, Fatmir Xhafaj, Valentina Leskaj etj., ndërsa vetë lideri socialist, Edi Rama, mungoi. Sipas informacioneve, ai ndodhej në Maqedoni për promovimin e librit dhe ka qenë e pamundur të vinte. E pamundur për Ramën dhe e mundur për përfaqësuesit e partive shqiptare nga Maqedonia, si Ali Ahmeti i BDI-së, i shoqëruar nga shumë politikanë, por edhe qytetarë të thjeshtë. Pas tyre, arriti kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe bashkëshortja e tij, Aurela. Paralelisht u shfaq Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndërsa në orën 14:30 përfunduan zyrtarisht homazhet.
Në Tufinë
Dhjetë minuta më vonë, pa fjalim ceremonial, trupi i pajetë i Sabri Godos u nxor nga salla e Kuvendit dhe u çua që të prehet në varrezat e Tufinës. Dhjetëra makina ngelën në rrugën që të çon drejt varrezave, për shkak të bllokimit prej vetë kortezhit. Dhe, derisa u çlirua trafiku, ceremonia kishte përfunduar e qytetarët humbën fjalimin e demokratit Fatos Beja, që kishte përgatitur për këtë rast: “Sot, ne përcjellim një personalitet, një njeri të letrave, të arsyes, të maturisë. Për atë që aq shumë ka nevojë shoqëria jonë dhe që ai e ofroi bujarisht nëpërmjet këshillave të tij, kur ia kërkonin, apo kur ai gjykonte se duhej t’i jepte, konfidencialisht apo publikisht. I bindur se në momente të trazuara një këshillë maturie e përvoje çmohet, edhe kur nuk kërkohet. Figurë emblematike e tranzicionit shqiptar, Godo do t’u mungojë shqiptarëve, do të na mungojë neve, kolegëve, shokëve e miqve të tij, familjes dhe të dashurve të tij të afërt. Lamtumirë Plaku i Urtë Godo”, tha Beja, ndërsa ftoi të pranishmit të mbanin një minutë heshtje. Kështu, me një fjalim të shkurtër të Bejës dhe grushte dheu të personaliteteve shqiptare, Sabri Godo u largua përgjithmonë.

Mediu, përgatitje maksimale për homazhet
Si kurrë më parë në këto 20 vite demokraci, nuk është parë ndonjëherë radhë më e gjatë sesa ajo e djeshmja për të kryer homazhe pranë trupit të pajetë të Sabri Godos. Megjithatë, organizimi i ceremonisë nga ana e kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ishte në nivel të lartë. Salla ishte mbushur me portrete të Godos, ndërsa ka shoqëruar të gjithë personalitetet me radhë deri në dalje të Kuvendit. Ndërkaq, ai tha edhe fjalët e tij me këtë rast, ku theksoi se: “Shkrimtar,  gazetar, deputet, politikan, Sabri Godo do të ngelet në memorien e shqiptarëve, një figurë e vlerësuar publike gjatë dekadave të tëra”. Mediu është i bindur që tashmë Shqipëria humbi politikanin e urtë e vizionar, duke kujtuar faktin se si në janar të vitit 1991 Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet.

Berisha: Humbje e madhe për vendin
Kryeministri Sali Berisha u shoqërua mesditën e djeshme nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, në homazhet e zhvilluara në Kuvend për ndarjen nga jeta të Sabri Godos. Kreu i ekzekutivit vendosi një kurorë me lule dhe u përul me nderim para trupit të pajetë të Sabri Godos, i shprehu ngushëllime familjarëve e të afërmve të tij, si dhe drejtuesve të Partisë Republikane për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur. Kryeministri e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Sabri Godos si një humbje e madhe për politikën dhe letrat e Shqipërisë. “Kryeministri Berisha la edhe një shënim në Librin e Ngushëllimeve të hapur me këtë rast. Pas homazheve, Kryeministri iu bashkua familjarëve, të afërmve, miqve e kolegëve të Sabri Godos, duke marrë pjesë në ceremoninë e varrimit”, bëhet e ditur në njoftimin e Kryeministrisë.

Presidenti Topi, homazhe në Kuvend për Godon
Presidenti Bamir Topi ngushëlloi dje familjen Godo për ndarjen nga jeta në moshën 82-vjeçare të politikanit dhe shkrimtarit të njohur. Kreu i shtetit mori pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar nga Kuvendi dhe Ministria e Jashtme. Ai ishte i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko dhe drejtori i kabinetit, Dashamir Xhaxhiu. “Në homazhet e zhvilluara në Kuvendin të Republikës së Shqipërisë, Kreu i shtetit shqiptar vendosi një kurorë me lule dhe u përul me nderim para trupit të pajetë të Sabri Godos. Më pas, Presidenti Topi u shprehu ngushëllimet e thella e të sinqerta bashkëshortes, të bijave dhe familjarëve të tjerë të të ndjerit, si dhe drejtuesve të Partisë Republikane. Presidenti Topi la edhe një shënim në Librin e Zisë të hapur me këtë rast”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.

Basha dhe ambasadorët në ceremoninë mortore
Në orën 13:48 minuta, në ambientet e Parlamentit ka mbërritur edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Aurela. Ai është përkulur para arkivolit me trupin e pajetë të themeluesit të Partisë Republikane dhe më pas ka takuar familjarët e Godos, të cilët i ka ngushëlluar. Gjatë homazheve të zhvilluara dje kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta së bashku me bashkëshorten, Monika Kryemadhi. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ambasadorja e Britanisë, Fiona McIlëham, ambasadori i Komisionit Europian, Etore Sequi dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth.

Kryeparlamentarja: Topalli, nderime për Sabri Godon
Homazhe për nder të politikanit të njohur, Sabri Godo, janë bërë dje dhe nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Në ceremoninë e homazheve, në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, Kryeparlamentarja u shprehu ngushëllimet e saj bashkëshortes, vajzave dhe familjarëve të ish-deputetit Sabri Godo, i ndarë nga jeta dy ditë më parë nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Në Librin e Ngushëllimeve të hapur për këtë rast, Topalli vlerësoi kontributin e Godos jo vetëm si deputet e politikan, por edhe si shkrimtar e historian, i cili do të kujtohet si një intelektual aktiv i njohur.

Kujtimet, letrat e pabotuara të Godos

Dilema nëse lufta partizane ishte çlirimtare apo civile
Pas famës që bëri si shkrimtar dhe historian, pavarësisht moshës së thyer dhe sëmundjes, të gjithë prisnim kryeveprën e radhës nga Sabri Godo. Por ajo çfarë ka lënë ai pa botuar janë vetëm dorëshkrime me kujtime nga lufta partizane, të cilën ai e përjetoi që në moshën 15-vjeçare, letërkëmbime, por edhe tregime rreth asaj kohe. Lajmi konfirmohet nga miq shkrimtarë të Godos, ku sipas tyre, dilema më e madhe e tij, kishte të bënte me faktin nëse ajo kishte qenë luftë çlirimtare apo luftë civile. “Pas shumë studimeve dhe duke iu referuar kujtesës së tij, Godo arriti në përfundimin se lufta ka qenë çlirimtare për të gjithë Shqipërinë, por edhe luftë civile në disa pjesë të saj”, thonë miqtë e shkrimtarit të ndjerë. Një ndër ta, Gani Qarri, që edhe po studionte së fundmi jetën dhe veprën e Godos, tregon edhe një fakt të ditur me një arsye të paditur; se pse ai nuk përfundoi dot arsimin e mesëm. “Shkollën e mesme, që e kishte filluar në Tiranë, e ndërpreu në gjysmë, pasi u angazhua në luftë si partizan, nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945. Luftoi në Shqipëri, në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, nga ku solli kujtime lufte dhe përjetime vrasjesh të shqiptarëve, të cilat nuk i harroi deri në vdekjen e tij, më 3 dhjetor të vitit 2011”, thekson Qarri. Sipas tij, ky plak i urtë, me përjetime nga më të ndryshmet në jetë, ishte pjesë e protagonistëve që e dinin më së miri se ç’është atdhedashuria, të cilën ai, me intelektin e zgjuar dhe kulturën që posedonte, e kishte dëshmuar në veprat letrare dhe kishte arritur ta shprehte në mënyrë të ndershme dhe shumëdimensionale edhe në veprat historike. “Shkrimtari ynë ishte personalitet i vlerave, me përgatitje të lartë intelektuale, i cili nga rrugëtimet e jetës së tij jo të lehtë, bartte mbi supet e tij të regjura një të kaluar me sprova të shumta, nga më të ndryshmet jetësore. Njeri që në kohëra kur bëhej luftë për jetë a vdekje, kishte parë edhe të tjera realitete me sy, të cilave u kishte mbijetuar, kush e di me sa vuajtje njerëzore. Ndaj, kishte çfarë t’i ofronte Shqipërisë dhe kombit në tërësi”, thotë studiuesi Qarri.

Themeluesi historik
Themelues i Partisë Republikane në vitin 1991 dhe dy herë deputet i Parlamentit, Godo ishte një ndër hartuesit e Kushtetutës së vendit. Ai u tërhoq nga drejtimi i republikanëve, duke ruajtur pozicionin e Presidentit të Nderit të Asamblesë së PR-së, ndërkohë që angazhimi i tij publik mbeti i fortë dhe aq serioz, saqë u quajt me të drejtë “plaku i urtë”.

Leka Zogu II nderon mikun e babait
Ende pa mbyllur mortin në Pallatin Mbretëror, ku të shtunën varrosi të atin, Leka Zogu II kreu homazhe dje në hollin e Kuvendit, në nder të republikanit të ndjerë, Sabri Godo. Pavarësisht përfaqësimit të dy regjimeve krejt të kundërta, njëri për republikën dhe tjetri për monarkinë, Godo dhe Leka Zogu I kishin marrëdhënie shumë të mira.

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura