Pero Pejiç do të firmosë sot për Kastriotin një kontratë 1-vjeçare për 80 mijë euro në sezon. Lajmin për “Panorama Sport” e ka konfirmuar trajneri Ramazan Ndreu. Ky i fundit, nga ana tjetër, ka pohuar se merkatoja e skuadrës krutane nuk do të mbyllet këtu. Sipas tij, ata janë në bisedime me disa lojtarë, pasi kërkohen një mbrojtës dhe dy mesfushorë. “Është e vërtetë që Pejiç ka firmosur për ne dhe do të jetë pjesë e skuadrës krutane në pjesën e dytë të sezonit. Mirëpo, ne jemi ende në merkato, pasi na duhet medoemos një mbrojtës, si dhe dy mesfushorë. Aktualisht jemi në bisedime me disa lojtarë, por për momentin nuk mund të jap emra. Sidoqoftë, gjithçka do të bëhet e ditur në momentin e duhur, kur edhe ne të kemi arritur një farë akordi”, ka bërë të ditur trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu. Pero Pejiç është afrimi i parë i rëndësishëm i krutanëve i bërë në këtë merkato, ndërsa është konfirmuar se nuk do të jetë i fundit. Zyrtararizimi te krutanët ka bërë që të dalë blof skuadra e Flamurtarit, e cila kërkoi me insistim shërbimet e sulmuesit në fjalë. Mirëpo, drejtuesit e Kastriotit e kanë bindur, duke e bërë “krutan” për një vit, me një kontratë që shkon 80 mijë euro në sezon. Në vendimin e kroatit, i cili është shumë i njohur për futbollin shqiptar, sepse ka qenë më parë pjesë e Dinamos dhe bardhebluve, përveç ofertës ekonomike të krutanëve, ka luajtur rol edhe afërsia e këtij qyteti me Tiranën, ku parapëlqen të banojë lojtari. Dhe pikërisht çdo alternativë tjetër zgjedhjeje nuk do t’ia krijonte këtë mundësi sulmuesit në fjalë. Kujtojmë se sezonin e shkuar te Tirana, Pejiç ishte lojtari më i paguar i Superiores. Ai merrte 84 mijë euro në vit, ose më mirë 7 mijë euro neto në muaj dhe, plus kësaj, klubi i paguante edhe qiranë e shtëpisë. Në fund të sezonit, ai u largua në Arabi, por meqenëse nuk arriti të luajë rregullisht, prishi kontratën për t’u rikthyer në Superiore. Sakaq, edhe me kontratën e re duket se ai do jetë sërish lojtari më i paguar, pasi askush tjetër nuk merr këtë shifër si rrogë në Superiore (Bala e Gilman Lika marrin nga 70 mijë euro rrogë te Tirana). Duhet thënë se krutanët kanë një traditë me lojtarë kroatë në radhët e tyre, teksa edhe sezonin e kaluar kishin plot 5 të tillë. Pejiç, i cili prej disa ditësh ndodhet në Tiranë, duhet t’i bashkohet sot grupit në hotel “Egnatia” në Kavajë. Pas tri ditëve fazë përgatitore (dje të gjithë lojtarët e kanë pasur pushim) dhe një merkatoje të kufizuar, duket se në javën që vjen krutanët do t’i vazhdojnë “goditjet” për ta përforcuar skuadrën. Kjo pasi kërkohet që ekipi të plotësohet me elementë cilësorë, me qëllim që në pjesën e mbetur të kampionatit krutanët të rikthehen të frikshëm, në nivelin e pretendimeve që ka skuadra e Kastriotit për këtë sezon.
Plaku te Skënderbeu: Me Xhafajn, të frikshëm
Sebino Plaku ka arritur dje akordin me drejtuesit e Skënderbeut, duke u veshur bardhekuq për pjesën e mbetur të kampionatit. Futbollisti, i cili ka qenë pjesë e Kastriotit, është duke i mbyllur të gjitha procedurat me këtë ekip, për të qenë pjesë e grupit të drejtuar nga Stanislav Levi. Madje, ka qenë ky i fundit ai që dhënë OK-in për lojtarin në fjalë, pasi ka parë videot dhe CV-në e tij. Nga sa mësohet, për arritjen e kësaj marrëveshjeje drejtuesit e klubit të Skënderbeut do t’u japin një shumë prej 10 mijë eurosh homologëve të tyre, atyre krutanë, për kartonin e lojtarit, meqenëse ka qenë nën kontratë me ta. “Kam dashur gjithnjë të jem pjesë e Skënderbeut. Dhe dita erdhi shumë shpejt. Kam arritur akordin me klubin korçar, teksa pres të mbyll kontratën me Kastriotin për të qenë një lojtar i lirë. Sa i përket Xhafajt, i cili ka qenë shtysa kryesore për të qenë te Skënderbeu, jam i sigurt se do të jemi një dyshe e pathyeshme”, ka thënë Plaku.











