
Gruaja dhe babai i gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, janë marrë në pyetje dje nga grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në lidhje me vrasjen e magjistratit.Fillimisht, bashkëshortja Enkelejda dhe më pas babai Fotaq Konomi, janë marrë në pyetje nga grupi i hetimit në lidhje me vrasjen e gjyqtarit 33-vjeçar pak ditë më parë në Vlorë. Bashkëshortja dhe babai i Skerdilajd Konomit nuk ishin marrë në pyetje deri ditën e djeshme për shkak se kanë qenë të tronditur nga humbja e të afërmit të tyre. Pas kthimit në Tiranë ditën e diel, grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka mbërritur dje përsëri në Vlorë, ku ka mbledhur dëshminë e dy personave më të afërt të gjyqtarit. Edhe pas pyetjes së këtyre dy dëshmitarëve, grupi hetimor mbajti të njëjtin qëndrim, duke pohuar se ka mësuar fakte të reja, por që ende nuk ka asnjë person të dyshuar në lidhje me ngjarjen. Babai i gjyqtarit mësohet të ketë pranuar se djali i tij ka pasur përplasje gjyqësore në proceset për përfitimin e pronësisë së tokave, ndërsa bashkëshortja e 33-vjeçarit sipas hetuesve ka pohuar angazhimin e madh dhe shqetësimin e magjistratit për ecurinë e çështjes së pronave edhe pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë.
Paditë

Konflikti i pronësisë për tokën e trashëguar në bregdetin e Durrësit, mes Skerdilajd Konomit dhe Agjencisë së Pronave, është bërë shkak për padi penale për falsifikim. Gjyqtari Skerdilajd Konomi mësohet se ka paditur Agjencinë e Pronave dhe një palë të tretë të interesuar për falsifikim dokumentesh në Prokurorinë e Durrësit. Ndërkaq, pala tjetër në mosmarrëveshjen e pronësisë mësohet se kishte bërë të njëjtën gjë, duke kundërpaditur gjyqtarin dhe duke e akuzuar për falsifikim dokumentesh. Në këtë mënyrë, të dyja palët kishin paditur njëra-tjetrën, ndërsa pritej që prokuroria të hidhte dritë mbi këtë çështje. Pista e atentatit për shkak të konfliktit të pronësisë mbi tokat në Hamallaj e Gjirin e Lalëzit, është versioni kryesor që po verifikon Prokuroria dhe Policia. Kjo jo vetëm për faktin se dosjet që po shqyrtonte gjyqtari nuk kishin rrezikshmëri, por edhe pasi 33-vjeçari ndodhej në një betejë të fortë ligjore për të marrë pronësinë e një sipërfaqeje shumë të madhe toke, në një zonë krejtësisht turistike në Hamallaj dhe në Gjirin e Lalëzit. Vlera totale e kësaj sipërfaqeje toke me çmimet e tregut arrin deri në disa miliona euro.
Hetimi
Të paktën tri video amatore të regjistruara në vendin ku ndodhi shpërthimi i makinës me të cilën lëvizte gjyqtari, janë ekzaminuar nga grupi i hetimit, por pa rezultat. Sipas burimeve nga Policia dhe Prokuroria, regjistrimet filmike në vendin e ngjarjes përmbajnë makinën duke u djegur, si dhe një numër të madh personash okularë, por nuk tregojnë detaje apo elemente të dyshimta në lidhje me krimin. Imazhet në fjalë, të regjistruara nga kamerat e sigurisë së një biznesi pranë vendit të ngjarjes, si dhe disa video të realizuara nga personat e rastësishëm, janë administruar nga grupi i hetimit, ndonëse është arritur në përfundimin se ato nuk kanë vlera për identifikimin e autorëve të ngjarjes. Interesant është fakti se nga shqyrtimi i videove, në momentin e shpërthimit të makinës ku ndodhej gjyqtari nuk vihet re asnjë person i dyshimtë. t.s/q.b
Gjykatat pezullojnë punën në shenjë zie për Skerdilajd Konomin
Të gjitha gjykatat e vendit pezulluan dje punën në shenjë zie për vrasjen e kolegut të tyre, Skerdilajd Konomi. Të gjitha institucionet e Drejtësisë në rrethe të ndryshme, kanë bllokuar aktivitetin për rreth 30 minuta, ndërsa në Gjykatën e Vlorës, zyrat nuk kanë funksionuar gjatë gjithë ditës. Nëntë gjyqtarët e saj pezulluan dje të gjitha seancat gjyqësore, ndërsa apeluan që shteti të punojë më shumë me sigurinë fizike të tyre. Gjyqtarët e Vlorës dolën në një deklaratë të përbashkët, nga ku dhanë mesazhin se “nuk mund të eliminohet kurrë drejtësia”. Në zyrën e kolegut të tyre, Skerdilajd Konomi, i cili u vra në një atentat me lëndë eksplozive të premten e kaluar në mes të Vlorës, gjyqtarët vendosën një tufë me lule dhe një foto të tij. Një fotografi e madhe e Skerdilajd Konomit u vendos edhe në tavolinën, ku gjyqtarët e Vlorës dolën në konferencë për mediat.
Kreu i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, e cilësoi ngjarjen si një eliminim mafioz që shokoi gjithë opinionin. Sipas tij, kjo është ngjarja më e rëndë në rrethin e Gjyqësorit, duke e krahasuar atë me vrasjen mafioze të Xhovani Falkones në Itali. Ai apeloi që kjo ngjarje të zbardhet sa më shpejt dhe që kushdo që ka informacion ta japë atë pranë organeve përkatëse. Sipas tij, Gjyqësori është i pambrojtur në luftën me krimin. “Shteti duhet të punojë më shumë me sigurinë fizike të gjyqtarëve, pasi ngjarje si kjo mund të përsëriten. Vdekja e Skerdilajdit të jetë një mesazh për mungesën e sigurisë, pasi lufta mes krimit dhe Gjyqësorit është një luftë e ashpër”.
Gjykata e Lartë: Të mbrohet Drejtësia
TIRANE – Ora 12:00 e ditës së djeshme i gjeti të boshatisura sallat e gjyqeve në të gjitha gjykatat e vendit. Për 15 minuta togat e zeza bojkotuan gjyqet në shenjë homazhi për vrasjen e kolegut të tyre Skerdilajd Konomi dhe proteste për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes. Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë u bashkua njëzëri me të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë, në nderim të figurës së gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, duke mbajtur një minutë heshtje në orën 12:00 të ditës së djeshme. “Gjyqtarët e kanë quajtur homazhin e sotëm një ‘Protestë të heshtur’, në nderim të kolegut, mikut, birit dhe babait të dy fëmijëve, Skerdit. Kjo protestë ka për qëllim sensibilizimin e organeve kompetente për të punuar fuqimisht, me gjithë autoritetin që u jep ligji, për të zbardhur sa më parë këtë ngjarje kriminale dhe për t’i vënë autorët e këtij akti terrorist përpara drejtësisë, duke marrë dënimin e merituar”, njoftoi dje me anë të një deklarate zyrtare, Ida Vodica, shefja e marrëdhënieve me Publikun dhe Median në Gjykatën e Lartë.
Vlorë, 30 persona në polici për vrasjen
Ditën e djeshme ka arritur në 30 numri i personave që janë shoqëruar në Policinë e Vlorës për t’u marrë në pyetje dhe për t’u verifikuar në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Një numër i konsiderueshëm i këtyre personave janë njerëz të afërt dhe të njohur të gjyqtarit, ndërsa pjesa tjetër janë thirrur në polici për verifikime në lidhje me vendndodhjen e tyre ditën kur ka shpërthyer makina ku gjeti vdekjen gjyqtari i Vlorës.
© Panorama.al











