GJIROKASTËR- Nënkryetari i Kuvendit Vangjel Tavo, ka reaguar për pretencën e prokurorisë ndaj kreut të LSI-së, Ilir Meta.
Sipas tij, prokuroria e Tiranës që në fillim e ka treguar veten si palë në këtë proces me ata që kanë manipuluar atë video-kasetë, “atë çfarë e cila e ka bërë të turpshme faktin që nxiti revoltën e 21 janarit, ku u vranë katër shqiptarë të pafajshëm”.
Tavo theksoi se ekspertet dhe dëshmitarët e prokurorisë të thirrur për të dëshmuar në Gjykatën e Lartë, kanë provuar krejt të kundërtën e asaj që pretendon Prokuroria.
“Ky organ vazhdon lojën e turpshme që ka nisur që në fillim, pa dalë në shesh kaseta sepse organi i akuzës, ishte palë që në fillim të kësaj maskarade”-u shpreh Tavo.
Nënkryetari i Parlamentit të Shqipërisë, ka folur gjithashtu edhe për synimet në zgjedhjet e ardhshme që kjo force politike ka në Qarkun e Gjirokastrës duke pohuar se edhe me një kandidim të pavarur, LSI, do të ketë deputetin e saj në jug të vendit.
Në cilësinë e anëtarit të komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, Tavo ka pohuar arsyet dhe çfarë propozon LSI në përmirësimin e kodit të 2009.
“Ne mund të nxjerrim deputet në Qarkun e Gjirokastrës qoftë edhe të pavarur duke dalë të vetëm në zgjedhjet e 2013”-u shpreh Tavo. PIRO NASE
© Panorama.al











