TIRANE – Aldo Bare u deklarua i pafajshëm dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila pritet të shpallë dënimin ndaj tij në ora 10:00, të datës 23 mars të këtij viti. Gjykata për Krimet e Rënda dëgjoi dje konkluzionet e mbrojtjes së personit të akuzuar si kreu i Bandës së Lushnjës. Nga kafazi i sallës së gjyqit, i pandehuri Bare pretendoi dje se ishte i pafajshëm. Pesëshja gjykuese e çështjes penale ndaj tij, tek Krimet e Rënda, i dha fund dje shqyrtimit gjyqësor ndaj të dyshuarit si “prijësi” i organizatës kriminale, të njohur si “Banda e Lushnjës”. Mbrojtësi ligjor i të pandehurit, avokati Vladimir Meçi, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, pretendoi pafajësi për Baren dhe kërkoi lirimin e tij. Duke pohuar përmbledhtazi materialin 39-faqesh të konkluzioneve përfundimtare, avokati tha se Aldo Bare është i pafajshëm. “Të gjitha provat, akt ekspertimet, që sipas prokurorëve provojnë akuzat, nuk kanë sjellë asnjë bindje dhe nuk kanë bërë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, që të faktojnë fajësinë e klientit tim”, u shpreh avokati. Po sipas tij, “asnjë nga dëshmitarët e paraqitur në proces nuk drejtoi gishtin ndaj të pandehurit dhe asnjë prej tyre nuk solli asnjë fakt që të përfshinte klientin tim në ngjarje kriminale”. Ndërkohë, ekzistencën, sipas Prokurorisë, të një organizatë kriminale, avokati e cilësoi si fantazi. “Përmendja nga akuza për një furgon të bardhë të blinduar, me të cilin lëviznin anëtarët e bandës, apo edhe ekzistenca e një garazhi të shndërruar në Komisariat nr.2, është më shumë se fantazi. Nuk mund të ekzistonte një strukturë paralele me atë shtetërore”, u shpreh mbrojtësi. Në përfundim, avokati kërkoi çlirimin e Bares nga të gjitha akuzat, deklarimin e tij të pafajshëm, si edhe urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të tij. Nga ana e tij, vetë Bare, foli shkurt dhe qetësisht. “Siç e kam deklaruar edhe më parë, deklaroj se jam i pafajshëm dhe si i tillë kërkoj pafajësi”, tha Bare. Për shkak të volumit të madh të dosjes, gjykata shtyu për dy javë seancën kur do të shpallet vendimi përfundimtar. Aldo Bare akuzohet nga Prokuroria për kryerjen e 12 veprave penale. Në seancën e konkluzioneve përfundimtare të akuzës, Prokuroria kërkoi për të dënimin me burgim të përjetshëm. ar.ba











