Gjykata liron autorin i aksidentit të ish-ministres Uruçi

Dec 22, 2011 | 11:20
Esmeralda Uruçi

TIRANE – Gjykata e Tiranës liroi nga qelia 34-vjeçarin Artan Kotarja, të dyshuarin si shkaktar të aksidentit rrugor të së shtunës, ku u plagos rëndë ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi. Kotarja u dorëzua e më pas u prangos pak orë pasi automjeti i drejtuar prej tij përplasi automjetin ku udhëtonte ish-ministrja dhe bashkëshorti i saj. Dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës caktoi ndaj 34-vjeçarit masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Vlerësimi i gjykatës për masën e sigurisë ndaj Kotarjes ishte në pranim të kërkesës së përfaqësuesit të akuzës në seancë. Kotarja akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. Në vendimin e masës së sigurisë, për pasojat e aksidentit ku u përfshinë edhe bashkëshortët Uruçi, gjykata shprehej se “nga kjo ngjarje rezulton se shtetasi Dashamir Uruçi, pasi është shtruar në repartin e kirurgjisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e tij, Esmeralda Uruçi, ndodhet e shtruar në gjendje të rëndë në reanimacion”. Referuar vendimit të zbardhur të caktimit të masës së sigurisë, i siguruar nga gazeta, automjeti ku udhëtonte ish-ministrja është përplasur nga automjeti i të dyshuarit Kotarja. “Nga veprimet hetimore paraprake ka rezultuar se mjeti ‘Benz’ veturë me targë TR 6058 K, i drejtuar nga shtetasi Artan Kotarja, duke qarkulluar nga Vora në Tiranë, është përplasur me mjetin tip veturë ‘KIA’ me targë TR 8580 J, të drejtuar nga shtetasi Dashamir Uruçi. Pas përplasjes së këtyre dy mjeteve, mjeti me targë TR 8580 J ka përfunduar në kanalin anësor të autostradës dhe, për pasojë, janë aksidentuar shtetasit Dashamir Uruçi dhe bashkëshortja e tij, Esmeralda Uruçi, të cilët u dërguan në SQU Tiranë. Pas ngjarjes automobilistike, i arrestuari Artan Kotarja është larguar nga vendi i ngjarjes, i cili më pas, rreth orës 02:45 të datës 18.12.2011, është dorëzuar pranë Njësisë për Kontrollin e Autostradave, ku dhe u krye arrestimi i tij në flagrancë në orën 03:00″, thuhej në vendimin e gjykatës. Në lidhje me automjetin e bashkëshortëve Uruçi në vendim  thuhej se nga këqyrja e vendngjarjes ishte parë “një mjet veturë me targa TR 8580 J e markës ‘KIA’, e përmbysur në kanalin anësor jugor të rrugës, e mbështetur në skarpatin jugor të kanalit me pjesën e pasme të mbështetur në bllokun e betonit”.   ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura