“Gjykata Kushtetuese po zhvillon një farsë për rritjen e pagave të gjyqtarëve”- Rama: Skandal logjik, moral, ligjor! Uroj që GJK të mos e kthejë në turp kombëtar

Jan 20, 2026 | 16:26

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, e cila po shqyrton kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave. Rama e ka cilësuar procesin si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”, duke theksuar se seanca po zhvillohet pa transmetim të drejtpërdrejtë për arsye teknike.

edi ramaa

Sipas Ramës, gjyqtarët janë tashmë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, falë mbështetjes që shumica qeverisëse i ka dhënë pushtetit gjyqësor në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Ai akuzon shoqatat e gjyqtarëve se po kërkojnë të thyejnë piramidën shtetërore të pagave, duke tentuar të sigurojnë me vendim gjykate të drejtën për rritje automatike të pagave sa herë rriten pagat e kategorive të tjera.

Kryeministri u shpreh se shpreson që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë këtë precedent, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do të përbënte një “turp kombëtar”.

Reagimi i Ramës: 

Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit

© Panorama.al

Te lidhura