“Shqetësimin e njerëzve e vendosin në plan të dytë”- Ishte në protestat në Tiranë, reagon sërish eurodeputetja Guarda: Anëtarësimi në BE ndodh kur mbrohen vlera, mjedisi dhe komuniteti

Jul 11, 2026 | 17:10

Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka reaguar pas vizitës së saj në Shqipëri, ku mori pjesë në protestën kundër qeverisë së Edi Ramës që vijon prej 42 ditësh në Tiranë.

guarda proteste

Pas pjesëmarrjes në mbledhjen ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri, Guarda ngriti shqetësime për mbrojtjen e mjedisit, respektimin e standardeve europiane dhe ndikimin e projekteve të zhvillimit në zonat e mbrojtura.

Në reagimin e saj, eurodeputetja tha se gjatë qëndrimit në Shqipëri ka dëgjuar shqetësimet e qytetarëve dhe ka parë një përplasje mes interesave ekonomike dhe mbrojtjes së natyrës.

Ajo u ndal veçanërisht te zona e mbrojtur Vjosa–Nartë, duke e cilësuar si një nga rastet më problematike, por theksoi se çështjet mjedisore në Shqipëri janë më të gjera dhe kërkojnë një reflektim politik.

Sipas eurodeputetes, rruga europiane e Shqipërisë duhet të ndërtohet mbi respektimin e vlerave të Bashkimit Europian, mbrojtjen e natyrës dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.


Reagimi i eurodeputetes Cristina Guarda: 

Ky (dhe jo vetëm ky) është realiteti që pashë në Shqipëri javën e kaluar.

E tregova dhe ndava përvojën time gjatë mbledhjes ndërparlamentare të Delegacionit BE–Shqipëri.

Shqetësimin e shumë njerëzve në terren, por edhe qëndrimin e rëndë të atyre që, në politikë, vazhdojnë ta vendosin në plan të dytë mbrojtjen e mjedisit dhe të njerëzve. Sepse për ta, në radhë të parë vjen fitimi – një model zhvillimi ekonomik i papajtueshëm me shëndetin e territorit.

Zona e mbrojtur Vjosa–Nartë është rasti, shumë i rëndë, mbi të cilin ne u përqendruam. Por nuk është i vetmi dhe mund të shërbejë si një mundësi për të reflektuar politikisht mbi vlerat europiane.

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian duhet të ndodhë në këtë frymë: në mbrojtje të vlerave, në respekt të mjedisit dhe në aktivizimin e komunitetit, duke garantuar pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Ai duhet të marrë parasysh edhe parimin e “mosregresit” në mbrojtjen e mjedisit.

Do të vazhdoj ta ndjek dhe t’jua tregoj këtë proces.

© Panorama.al

Te lidhura