Gjykata Kushtetuese merr vendimin, i jep të drejtë Erion Veliajt! Rrëzohet dekreti i Begajt dhe Qeveria për shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë Tiranë

Nov 3, 2025 | 17:59

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin lidhur me çështjen e Erion Veliajt, i cili kundërshton rrëzimin e tij si kryetar Bashkie i Tiranës nga Këshilli i Ministrave si edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet në Tiranë.

erion veliaj Kushtetuese 5

Ka qenë një seancë e gjatë sot në Gjykatën Kushtetuese dhe rreth orës 17:30 në përfundim, është vendosur në favor të Erion Veliajt, duke i dhënë të drejtë të plotë për të vijuar detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Sipas gazetares Klodiana Lala bëhet me dije, se vendimmarrja e trupës gjykuese ka qenë me shumicë votash 5 me 3, në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë, e cila kishte miratuar shkarkimin e kryebashkiakut pas propozimit të bërë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka anuluar gjithashtu edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj, që kishte caktuar datën e zgjedhjeve të reja në Tiranë më 9 nëntor.

Praktikisht, edhe pse ndodhet në paraburgimin e Durrësit për shkak të hetimeve të SPAK, Veliaj rikthehet në detyrë si kryetar i Bashkisë Tiranë.

Kujtojmë se të premten 31 Tetor Erion Veliaj mori pjesë fizikisht në seancën që u zhvillua në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ankimimin e tij.

Ai u paraqit në seacën e shqyrtimit të çështjes së shkarkimit të tij nga Këshilli i Ministrave, të cilën e ankimoi si akt antikushtetues duke kërkuar qëndrimin në detyrë si kryetar bashkie. Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, me akuzat për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grupi biznesmenësh pranë tij.

Veliaj akuzohet në 13 episode për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, akuza të cilat ai i mohon. Shkarkimi i tij u inicua nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkoi publikisht anëtarëve të PS-së në Këshillin Bashkiak që të nisnin procedurën që përfundoi me vendimin e qeverisë për shkarkim nga detyra me argumentin e mungesës mbi 3 muaj në detyrë.

Gjykata shqyrtoi në të njëjtën seancë kërkesat e Veliajt për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra dhe për shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës për shpalljen e datës së zgjedhjeve në Tiranë, që u mor pasi ankimimi ishte pranuan nga gjykata dhe në bazë të nenin 115 të Kushtetutës pezullonte në mënyrë automatike shkarkimin e tij.

Që në nisje të seancës gjyqësore, përfaqësuesit ligjorë të Presidentit kërkuan që gjykata të shpallte moskompetencën për të shqyrtuar dekretin, por kërkesa u hodh poshtë njëzëri nga trupa gjyqësore, e cila vendosi që shqyrtimi i dekretit lidhej me themelin e mosmarrëveshjes mes Veliajt dhe Këshillit të Ministrave.

Para gjykatës, Veliaj e cilësoi procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak si antiligjore, por anashkaloi nga përgjegjësia Ramën, pavarësisht se aludoi ndër rreshta për shënjestrim për arsye politike. Ai po ashtu shfaqi habinë për “eficencën” me të cilën organet e përfshira në proces që nga Këshilli Bashkiak, prefekti i qarkut, Këshilli i Ministrave dhe në fund Presidenti me shpalljen e datës së zgjedhjeve, kishin operuar me aktet e tyre brenda “8 orëve”.

Ai pretendoi se qeveria po vepronte me dy standarde, pasi ndaj tij kishte marrë masën e shkarkimit për mungesë në detyrë, ndërsa në rastin e kryebashkiakut të Tropojës nuk kishte vepruar dhe pse ai mungon prej 11 muajsh në detyrë, pasi gjendet në masën ‘arrest shtëpie”.

© Panorama.al

Te lidhura