“Na vijnë kërcënime nga dora e Ramës dhe Berishës, bllokimi i Rinasit ishte keqkuptim!”- Aktivisti Arben Kola: Do jem në ballë të marshimit! Jeta ime lidhet me turizmin

Jun 15, 2026 | 19:16

Aktivisti Arben Kola, gjatë protestës së 16-të për dorëheqjen e kryeministrit Rama në Tiranë, ka hedhur poshtë zërat për përçarje mes organizatorëve dhe ka sqaruar debatet e krijuara rreth marshimi të një nate më parë drejt Aeroportit të Rinasit.

Ai bëri të ditur se nuk ka përçarje mes tyre, por lidhur me marshimin ka pasur keqkuptime dhe nga kjo protestë do të jetë vetë në krye të marshimit së bashku me studentët, të cilët i cilësoi si pararojë të protestës.

“Duke qenë se marshimi nuk ka pasur të bëjë me grupin nismëtar, as me organizatorët, nga sot do të jem unë në ballë të marshimit bashkë me studentët. Por studentët do të jenë pararoja e këtij marshimi me një pankartë të gjatë, sepse studentët kanë një betejë të pambaruar në vitin 2018 dhe tani kemi shumë beteja derisa ky të ikë dhe kjo qeveri të shporret një herë e përgjithmonë”, tha ai.

Në fjalën e tij, Kola foli edhe për presione dhe kërcënime që, sipas tij, po marrin organizatorët e protestës, duke deklaruar se ato vijnë nga “dora e Edi Ramës përmes dorës së Saliut”.

Arben Kola: Siç e keni parë në rrjetet sociale, shumë mendojnë se jemi përçarë. Nuk jemi përçarë. Ka pasur keqkuptime, ka tentativa, por nuk jemi për t’u akuzuar dhe për t’u armiqësuar me askënd. Armiku i vetëm sot, i përbashkët, është Edi Rama dhe qeveria e tij.

Prandaj, që të kuptohemi, marshimi ka qenë i organizuar nga grupe të rinjsh, Gjenerata Z, por unë do të thoja gjenerata më e bukur e shekullit XXI. Duke qenë se marshimi nuk ka pasur të bëjë me grupin nismëtar, as me organizatorët, nga sot do të jem unë në ballë të marshimit bashkë me studentët.

Por studentët do të jenë pararoja e këtij marshimi me një pankartë të gjatë, sepse studentët kanë një betejë të pambaruar në vitin 2018 dhe tani kemi shumë beteja derisa ky të ikë dhe kjo qeveri të shporret një herë e përgjithmonë.

Që të qartësohemi me të gjithë shqiptarët, ne kemi thënë që kjo është protesta model. Kemi thënë që zemra e protestës është rinia dhe mërgata shqiptare. Si mund t’i ndalojmë njerëzit e mërgatës të vijnë me aeroplanë? E kuptoni që aeroporti është nyja kryesore e jetës, që na ka ndryshuar imazhin e Shqipërisë. Nga aty vijnë dhe shkojnë shqiptarët që jetojnë jashtë.

Ndaj të jetë e qartë për të gjithë, asnjëherë nuk do të ketë tentativë për në aeroport, sepse ai është edhe vendi ku turistë nga e gjithë bota na vijnë dhe na bashkohen këtu me ne në protestë. Jeta ime lidhet drejtpërdrejt me turizmin. Nuk kam as dyqane me qira, nuk kam as biznes, as shtëpi, por jetoj në një shtëpi me qira dhe jeta ime është e lidhur me turizmin. Ndaj nuk do të ketë dhunë deri në fund, derisa të shporret kjo klasë politike.

E kemi thënë që kjo është revolta më e bukur popullore, revolucion që do ta çojmë deri në fund bashkë me ju. Dhe tani ju e dini që shumë nga kërcënimet që na vijnë, edhe privatisht, janë dora e Edi Ramës përmes dorës së Saliut. Opozitë e shitur, opozitë e shitur…

© Panorama.al

Te lidhura