Gjykata i mohon garancinë kreut të FMN-së, Shtraus Kan shkon në burg

May 17, 2011 | 9:16
Gjatë arrestimit të kreut të FMN-së, Dominik Shtraus Kan

Një gjykatë në Nju-Jork ka vendosur paraburgim për kreun e FMN-së, Dominik Shtraus Kan, mbi akuzat për ngacmim seksual. Juria tha se z. Shtraus Kan, 62 vjeç, kishte rrezik të largohej nga vendi dhe nuk e pranoi garancinë. Kështu Shtraus Kan e kaloi natën nga dhoma 3 000 dollarëshe në një qeli burgu. Ai u arrestua të shtunën, pasi u ngjit në bordin e një avioni drejtuar për në Paris dhe u akuzua se ishte përpjekur të përdhunonte një shërbyese hoteli. Duke folur në gjykatë, avokati i z. Shtraus Kan i mohoi akuzat ndaj klientit të tij. Ndërkohë, nga zyrat e Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk ka pasur asnjë reagim. Shtraus Kan u zbrit nga bordi i “Air France” në Aeroportin “John F. Kennedy”, ndërsa avioni po përgatitej të ngrihej. Ai akuzohet dhe për “burgosje të paligjshme” dhe “akt kriminal seksual”. Si një kandidat potencial për presidencën franceze, Shtraus Kan, 62 vjeç, i ka mohuar akuzat dhe u shpall jo-fajtor. Sulmi i pretenduar nga një shërbyese 32-vjeçare në hotelin me pesë yje në qendër të Manhatanit ka ndodhur mëngjesin e 14 majit, sipas policisë se Nju-Jorkut. Hetuesit kërkuan një mandat për t’i bërë një kontroll fizik z. Shtraus Kan, i cili i lejoi ta ekzaminonin për prova fizike mbi gërvishtje apo gjurmë ADN-je nga akuzuesja e tij. Sipas Policisë së Nju-Jorkut, ”ai kishte dalë nga banja i zhveshur, e kishte tërhequr shërbyesen në dhomën e gjumit dhe kishte nisur një sulm seksual ndaj saj. Por një tjetër akuzë erdhi nga Franca. Një shkrimtare franceze pretendon se Shtraus Kan e ka sulmuar atë seksualisht nëntë vite më parë. Tristane Banon tha se sulmi kishte ndodhur kur ajo ishte rreth të njëzetave, në një program televiziv, kur ajo e quajti Shtraus Kanin një “shimpanze”. Ajo tha se kishte konsultuar një avokat në atë kohë, por ishte urdhëruar nga mamaja e saj të mos marrë asnjë veprim. E ëma ishte  këshilltare rajonale për Partinë Socialiste dhe mike e familjes së Shtraus Kanit. Tani ajo ka ndër mend ta rihapë çështjen.

Deklarata e Merkel, për FMN-në

Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, edhe pse tha se ishte jashtë vendit të diskutohej ndryshimi i kreut të FMN-së, deklaroi se qeveria gjermane mendon se organizata duhet të drejtohet nga një europian. “Në terma principi, pa e hapur atë diskutim këtu, ndërkohë që ne kemi shumë për të folur në lidhje me euron, ka arsye të mira për Europën që të paraqesë kandidatë të mirë të mundshëm”, tha ajo.

© Panorama.al

Te lidhura