Gjykata e Gjirokastrës i heq mandatin kreut të Këshillit të Qarkut, Sulo Muçobega. Shkak është bërë denoncimi në Gjykatën e Faktit i njërit prej anëtarëve demokratë në Këshillin e Qarkut, Shahin Shenaj, i cili shtatorin e vitit të kaluar u vu në garë me Muçobegën për të drejtuar Qarkun, ku doli i humbur me dy vota diferencë.
Atë që nuk e realizoi dot institucioni i prefektit të Gjirokastrës vitin e kaluar në të gjitha shkallët e Gjyqësorit, mundi një person i vetëm duke qenë i rreshtuar në radhët e këshilltarëve demokratë në legjislativin e Qarkut të Gjirokastrës. Në seancën e djeshme gjyqësore, e cila ishte përfundimtare, drejtuar nga Desart Avdulaj, kryetar i Gjykatës së Faktit në Gjirokastër, është quajtur e paligjshme zgjedhja e Sulo Muçobegajt si këshilltar në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës, në një kohë kur kjo ishte në shkelje flagrante me ligjin. Arsyetimi qëndronte në faktin se përsa kohë që një punonjës administrate kërkon të jetë edhe këshilltar i administratës, ai patjetër duhet të dorëhiqet nga një funksion, pra ose nga puna në administratën e Qarkut tre muaj para zgjedhjeve të 8 majit 2011, ose të qëndronte në administratën e Qarkut dhe mos të zgjidhej këshilltar për në Këshillin e Qarkut nga këshilltarët e Këshillit Bashkiak të Tepelenës. Asnjë nga këto të dyja Muçobega nuk i zbatoi, pasi mbante detyrën e specialistit në zyrën e administrimit të tokave në rrethin e Tepelenës, çka e shtyu Shenajn të depozitonte me fakte dhe argumente shkresore në gjykatë të gjithë dosjen ku konstatohen shkelje të papajtueshmërisë së postit të këshilltarit me të punësuarin në administratën e Këshillit të Qarkut. Vendimi i djeshëm e ka gjetur të papërgatitur administratën e Qarkut të Gjirokastrës, e cila u pushtua nga një amulli totale pasi rikthehet vëmendja te një çështje që në seancat e para gjyqësore të kërkuara nga institucioni i prefektit kalonin në favor të Muçobegës, çka i dha atij të drejtën në fund të nëntorit të vitit të kaluar të drejtonte i pashqetësuar Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës. Vetë Muçobega reagoi dje duke i bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të përqendruar në Shqipëri, të sensibilizohet. “Pavarësisht se vendimi i djeshëm vjen nga një institucion i pavarur, ai ka një prapavijë politike, gjë që përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut gjatë gjithë procesit jo vetëm që e kanë konstatuar, por edhe e kanë kundërshtuar si të tillë”, është shprehur Muçobega. Ky i fundit ka premtuar se vendimin në fjalë do ta ankimojë në shkallët e Gjyqësorit me qëllim rrëzimin e tij.
GJIROKASTER/ PIRO NASE











