Gjykata: E veja e Mirit të Xhikes, në kërkim nga 2005

Jun 12, 2012 | 14:50
Manjola Prifti, ish-bashkëshortja e Mirit të Xhikes

Gjykata e Tiranës zbardh arsyetimet e dy vendimeve që caktuan masa sigurie shtrënguese për dy persona të arrestuar në kryeqytet ditët e fundit për llogari të Drejtësisë italiane. Në vendimet e Gjykatës thuhet se për të venë e Mirit të Xhikes, Interpoli kishte lëshuar mandat-arresti që në vitin 2005. Ndërkohë ajo u arrestua nga Policia shqiptare në vitin 2012, pikërisht pak javë më parë. Më 31 maj, togat e zeza caktuan masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shtetasen Manjola Prifti, ish-bashkëshorten e biznesmenit Fatmir Rama, të ekzekutuar në mars 2003, i njohur edhe si Miri i Xhikes. Sipas autoriteteve italiane, Prifti është dënuar në mungesë nga Gjykata e Milanos me 11 vjet burg për akuza që kanë të bëjnë me trafik të lëndëve narkotike. Në vendimet gjyqësore përkatëse, për të dy të arrestuarit, Arifaj dhe Prifti, thuhet se ekziston mundësia që ata t’i fshihen Drejtësisë. Aktualisht ata janë në pritje të ardhjes së kërkesave për ekstradim nga Drejtësia italiane.
Manjola Prifti
Sipas vendimit të Gjykatës, Manjola Prifti u arrestua më 29 maj në Tiranë, pasi është dënuar në Itali për “bashkëpunim kriminal”, “pjesëmarrje në organizate kriminale” dhe “trafik droge”. “Interpol Roma, në datën 22.01.2003 ka njoftuar se për këtë shtetase autoritetet italiane të Drejtësisë dhe konkretisht Gjykata e Milanos Itali, më datë 11.07.2005 ka lëshuar urdhër – arrestin nr. 510/04 RES-726/2005 ROE, sepse shtetasja Manjola Prifti është dënuar me 11 vjet burgim për kryerjen e veprave penale të mësipërme”, thuhej në vendim. Në arsyetimin e llojit të masës së sigurisë, thuhej se “gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori, në faktin se e arrestuara është nëna e dy fëmijëve të mitur, përkatësisht 2 dhe 12 vjeç”.
I kërkuari për vrasje
Myrteza Arifaj u arrestua më 27 maj 2012, në zbatim të urdhër-arrestit nr.7655/11 të Interpol Romës, Itali. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. “Shtetasi shqiptar Myrteza Arifaj akuzohet se në datën 20 tetor 2011, në bashkëpunim me dy bashkëkombës të tjerë, ka vrarë duke e goditur me thike shtetasin italian Luigi Taurino”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Në vendim sqarohej se ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” me afat, pasi “sipas urdhër–arrestit nr.7655/11 R.G.N.R – 6614/11 R.G.G.I.P, datë 28.11.2011, shteti italian ka marrë një masë për kufizimin e lirisë personale; janë paraqitur të dhëna të hollësishme për veprën penale dhe elementë të mjaftueshëm për identifikimin e të arrestuarit; si dhe për të arrestuarin ekziston rreziku që t’i fshihet Drejtësisë”.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura