Gjykata e Fierit rrëzon ekstradimin e Fatmir Kajollit

Jun 12, 2012 | 13:59
Fatmir Kajolli, këshilltari republikan në Fier

FIER – Gjykata e Fier nuk lejon ekstradimin drejt Italisë të këshilltarit bashkiak Fatmir Kajolli, i kërkuar nga Drejtësia e shtetit fqinj. Vendimi është marrë nga gjyqtari Pirro Sota, i cili pasi ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e tij dhe argumentet e paraqitura nga mbrojtja e Kajollit e ka cilësuar si të paligjshëm ekstradimin e tij. Gjyqtari është bazuar në kërkesën e palës mbrojtëse që kërkoi moslejimin e ekstradimit të Fatmir Kajollit, për parregullsi në letër-porosinë e dërguar nga Drejtësia italiane. Mësohet se  mbrojtësi i Kajollit ka pretenduar se Ministria Italiane e Drejtësisë nuk ka shprehur asnjë garanci nëse do të respektohet ose jo parimi i specialitetit. Avokati ka pohuar para gjykatës se në këtë kërkesë ekstradimi të kryer nga Drejtësia italiane nuk është specifikuar fakti nëse ndaj Kajollit do të ekzekutoheshin ose jo vendime të tjera të marra nga gjyqësori i atjeshëm. Kjo, pasi në letër-porosinë e dërguar nga Ministria e Drejtësisë Italiane figuronte vetëm vendimi i formës së prerë të dhënë nga gjykata e Milanos, ku Kajolli rezulton i dënuar me 6 vite burg, ndërsa nuk kishte asnjë të dhënë lidhur me vendimin e dhënë nga Gjykata e Romës. Ndërkohë Prokuroria nga ana e saj ka kërkuar lejimin e ekstradimit të Kajollit, duke pohuar se dënimi që do të vuante Kajolli duhej të ishte vetëm ai që kërkohej në letër-porosinë e Drejtësisë italiane. Por, gjyqtari Pirro Sota, pasi ka dëgjuar argumentet e të dyja palëve, e ka vlerësuar si të ligjshme kërkesën e mbrojtjes së Kajollit, duke vendosur moslejimin e ekstradimit të tij. Ndërkaq, mësohet se organi i akuzës do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit Vlorë këtë vendim brenda afatit kohor të ligjshëm, 10 ditë.

© Panorama.al

Te lidhura