
PESHKOPI – Pasditen e djeshme, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka pushuar padinë e kompanisë austriake “Albanian Chrom” dhe Avokaturës së Shtetit ndaj Federatës së Sindikatave të Industrisë dhe Këshillit Sindikal të minatorëve të Bulqizës. Taf Koleci ka përfaqësuar Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë në gjyqin e zhvilluar në Peshkopi. Në përfundim të seancës së radhës, trupi gjykues ka vendosur pushimin e çështjes në këtë gjykatë, pasi e njëjta padi nga ACR dhe Avokatura e Shtetit është bërë në Gjykatën e Dibrës dhe në atë të Tiranës. Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, tha për gazetën “Panorama” se padia është e paligjshme dhe synon mbajtjen nën presion të sindikatave, të cilat kërkojnë zbatimin e marrëveshjes së shtatorit të këtij viti mes Këshillit Sindikal dhe ACR-së. Meqenëse e njëjta padi është bërë në dy gjykata, atëherë gjykata e nivelit më të ulët e mbyll çështjen dhe ajo shqyrtohet nga gjykata e nivelit më të lartë, sqaruan burime pranë KSSH-së. “Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër është bërë padi ndaj Federatës së Sindikatave të Industrisë dhe Këshillit Sindikal, ndërsa në atë të Tiranës ndaj Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë dhe Federatës së Sindikatave të Industrisë, ndërkohë që përmbajtja e padive është e njëjtë”, tha Nikollaj. Ai shtoi se paditë janë të paligjshme, pasi askush nuk mund t’u mohojë sindikalistëve të drejtën e grevës, ndërsa dërgimi i padive në disa gjykata ka për qëllim të ushtrojë presion mbi lëvizjen sindikaliste, për të mos zbatuar marrëveshjen e fundit me minatorët për pagën e 13-të, kryerjen e investimeve dhe krijimin e kushteve normale për punëtorët e nëntokës. h.p











