Deputetët socialistë nuk do të votojnë sot Gjykatat Administrative. Ky ka qenë vendimi i dalë dje nga mbledhja e Grupit Parlamentar socialist, të zhvilluar dje në mesditë.Burime pranë Grupit Parlamentar socialist pohuan se deputetët e PS do të votojnë ligjet dhe kodet që kërkojnë shumicë të cilësuar, pasi të jenë pranuar nga maxhoranca dhe kryetarja e Kuvendit propozimet për një reformë parlamentare. Për këtë, pak ditë më vonë, ata do të depozitojnë në Kuvend dhe një draft, përmes të cilit do të propozohet një reformë parlamentare. Edhe pse ligji për Gjykatat Administrative ka dy vjet që pret miratimin dhe ka marrë konsensusin e palëve që para zgjedhjeve të 2009-s, ai ende nuk ka marrë miratimin nga Kuvendi që të hyjë në fuqi. Faktori ndërkombëtar ka kërkuar miratim sa më të shpejtë të kësaj gjykate. Gjatë fjalës së tij para deputetëve, kreu socialist shpjegoi dhe kushtet se kur socialistët do të japin votën e tyre pro ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Për sa u takon ligjeve që kërkojnë votën tonë për të garantuar shumicën e cilësuar prej 3/5 të Kuvendit, u shprehëm miqve e partnerëve fqinj në takimin e sotëm të njëjtin qëndrim të bërë publik. Nuk do të votojmë projektligje të paharmonizuara me një vizion solid të ndërtimit e të funksionimit të shtetit shqiptar dhe nuk do ta ngremë kartonin jeshil sa për t’i hedhur hi syve Brukselit me arna të quajtura rëndom reforma integruese. Nëse kërkohet vota jonë për miratimin e një projekti që kërkon 3/5 e votave, atë do ta japim vetëm mbi një platformë të qartë, kombëtare dhe transparente, të reformimit të domosdoshëm të sistemit në fushën e drejtësisë, sigurisë e me radhë, me fokus standardet e integrimit europian”, u shpreh Rama në fjalën e tij. Duke u folur deputetëve socialistë rreth bisedës së zhvilluar me dy ministrat e Jashtëm, të Greqisë dhe Italisë, dje paradite, Rama propozoi një reformë të plotë parlamentare. “Në mbledhjen e kësaj jave të kryetarëve të grupeve parlamentare, grupi ynë në Kuvend do të depozitojë draftin e përgatitur të ndryshimeve që, sipas nesh, janë një kusht i patjetërsueshëm për ta futur Parlamentin në binarët e normalitetit europian të funksionimit të jetës parlamentare. Edhe për këtë draft të gjithë deputetët duhet të japin mendimet e tyre përpara publikimit të tij në ditët në vijim. Shpjeguam se s’është fjala thjesht për rregulloren e Kuvendit, po për atë që edhe baronesha Ashton dhe Komisioneri Fule e kanë shtruar si domosdoshmëri për një reformë institucionale të jetës parlamentare dhe të rregullave të procedurës së punës së Kuvendit”, u shpreh kryesocialisti. Sot, Kuvendi e ka përfshirë në rend të ditës miratimin e Gjykatave Administrative, ndërsa dje kryetarja e Parlamentit ka kërkuar nga PS të votojë një ligj për të cilin ka dhënë prej kohësh konsensus. “Duke u rikthyer tek Ligji për Gjykatën Administrative, siç jeni në dijeni, ky ligj është pas USAID një produkt i angazhimit dhe i kontributit të Partisë Socialiste të cilët i kanë bërë amendamente, ndryshime këtij ligji dhe kanë marrë ‘OK’ e deputetëve të maxhorancës në Komisionin e Ligjeve dhe ai pret votën e të gjitha palëve, duke respektuar vullnetin që ata kanë shprehur”, u shpreh Topalli.
Gjermania: Humbët shumë kohë me bllokimin e Kuvendit

Pas Italisë dhe Greqisë, është Gjermania ajo që lëshon apelin e radhës drejtuar Shqipërisë për miratimin e reformave që kërkojnë një numër të cilësuar votash. Deputeti i Bundestagut gjerman, Roderich Kiesevetter, u takua dje me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministren e Integrimit, Majlinda Bregu dhe kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ku vuri theksin te rikthimi i PS-së në Parlament. “Një pikë tjetër, të cilën e konstatoj të rëndësishme në kuadër të kësaj vizite, është edhe ndryshimi apo progresi që ka ndodhur nëpërmjet thyerjes së bllokimit dhe bojkotit të Parlamentit nga ana Partia Socialiste. Më duket ky një fakt mjaft i rëndësishëm, duke pasur parasysh edhe punën e madhe që e pret Parlamentin shqiptar në kuadër të disa reformave, siç janë: reforma në Drejtësi, reforma zgjedhore, reforma administrative, por njëkohësisht edhe reforma në Parlament”, tha Kiesevetter. Sipas tij, “për fat të keq, për shkak të bllokimit në Parlament, Shqipëria ka humbur kohë të vlefshme dhe ka ardhur momenti për ta ndryshuar këtë. Për fat të keq, dhe këtë e them si një mik i mirë i Shqipërisë, për shkak të kësaj bllokade është humbur kohë nga të dyja anët, pra mbetet për të bërë diçka”. Nga ana e saj, kryeparlamentarja Topalli u ndal te reforma zgjedhore për të cilën theksoi se “edhe çështja e reformës zgjedhore ka qenë një ndër pikat kyçe më të rëndësishme në axhendën e diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve; është diskutuar, është futur në kalendar, po presim propozimet nga deputetët sipas Rregullores së Kuvendit. Unë pres vepra pas fjalëve, unë nuk kam përse të paragjykoj, ajo që unë mund të bëj si kryetare e Parlamentit, është t’i nxis, t’i inkurajoj për të bërë detyrën të gjitha forcat politike dhe unë dua të mendoj pozitivisht për secilin. Por, e vërteta është se bllokimi dhe bojkoti i kanë bërë shumë dëm vendit”.
PS thërret Naçon për Bulqizën
Deputetët socialistë kanë kërkuar interpelancë me ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço, për situatën në minierën e kromit në Bulqizë. “Ne jemi përgatitur për interpelancën e nesërme parlamentare lidhur me shpërdorimet e patolerueshme qeveritare në administrimin e pasurive minerare të vendit, ku mbetet e pashpjegueshme pse ende prokuroria nuk vepron për vënien përpara drejtësisë të ministrit, që firmosi ndryshime në një marrëveshje koncesionare, duke marrë kompetencat e Kuvendit në shkelje të Kushtetutës e të ligjit. Bulqiza, e kthyer në gangrenë të korrupsionit dhe abuzimit qeveritar me pasuritë minerare të vendit e me njerëzit e nëntokës, kërkon drejtësi dhe ne jemi në krah të minatorëve deri në realizmin e kërkesave të tyre të drejta, ligjore e njerëzore”, u shpreh Rama.
Amendimet e ligjeve
Deputetët e Grupit Parlamentar socialist do të depozitojnë në Kuvend, në ditët në vijim, propozime për ndërhyrje në disa taksa, që kanë të bëjnë me ushqimet bazë. “Heqja e TVSH-së mbi bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, si edhe ulja e TVSH-së mbi ushqimin, janë e vetmja rrugë për t’u ardhur sadopak në ndihmë sot, në kushtet e krizës së rëndë ekonomike e të rënies katastrofike të fuqisë blerëse, të gjitha familjeve të zakonshme të këtij vendi. E kemi premtuar solemnisht këtë hap në Paktin Qytetar të majit dhe do të luftojmë në Parlament që ky hap të hidhet sa më parë, pa pritur që të vijmë në qeveri për ta bërë realitet të jetës së përditshme shqiptare uljen e çmimeve të bazës më elementare ushqimore e jetike për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”, u shpreh Rama dje para deputetëve.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











