SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka vendosur sot masën e sigurisë, “burg pa afat” për babanë që vrau me armë zjarri djalin e tij 27 vjecar. Në seancën e sotme, pasi janë dëgjuar palët trupi gjykues vendosi të lërë në qeli autorin e krimit, shtetasin Marash Lulaj.
Vete autori ka deklaruar se gjithcka ka ndodhur ne grindje e siper. “Pas debatit nuk di te tregoj se si shkrepi arma”- ka thene ai, duke theksuar se nuk ka dashur asnjehere te vrase djalin, pavaresisht konfliktit qe kishin per shkak te prishjes se fejeses.
Ngjarja
Babë e bir janë grindur teksa po hanin drekë, kur autori i krimit të rëndë, 60-vjeçari Lulaj, mori armën çifte që e mbante në shtëpi dhe qëlloi për vdekje djalin e tij, Edmondin. Ai e ka pritur policinë në banesë, pa tentuar të largohej dhe as t’i bëjë rezistencë prangosjes. Nga hetimet e kryera, bazuar edhe në dëshminë e të afërmve të viktimës, në orët e drekës ai bashkë me të birin janë ulur së bashku për drekë. Djali ka filluar të konfliktohej me babain e tij, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur.
Qortimet e të birit e kanë acaruar së tepërmi situatën, aq sa 60-vjeçari është ngritur nga tavolina ku ata hanin drekë dhe, pasi ka marrë një armë zjarri, çifte, e ka qëlluar të birin teksa hante, duke e lënë të vdekur në vend. Burime të Policisë bënë të ditur se sherri mes babait e birit ka qenë mjaft i rëndë. Familjarët e viktimës kanë pohuar se marrëdhënia mes tyre ishte acaruar, pasi 27-vjeçari për motive ende të paqarta kishte vendosur t’i jepte fund fejesës së tij. Por babai e kishte kundërshtuar vendimin e të birit, duke i kërkuar atij gjatë gjithë këtyre muajve të pajtohej me vajzën.
“Na ke turpëruar të gjithë fisin. Na ke koritur familjen me këtë veprim. Duhet të pajtohesh me vajzën, pasi kjo që po bën është turp për ne”. Kështu mësohet t’i ketë thënë gjatë të gjithë këtyre muajve Marash Lulaj të birit 27-vjeçar. Por ky i fundit nuk kishte pranuar duke iu hakërryer të atit për mendësinë primitive sipas tij. Pas këtyre zënkave, që precipitonin shpesh në debate të ashpra në familje, mësohet se 60-vjeçari kishte filluar të pinte.
Por kjo vetëm sa i ka acaruar situatat familjare, pasi djali 27- vjeçar kishte nisur ta qortonte të atin për konsumin e tepërm të alkoolit. Burime të Policisë bënë të ditur se edhe ditën e ngjarjes, 60-vjeçari kishte akuzuar të birin se ishte bërë pikërisht ai shkaku që ai të pinte raki nëpër fshat. Mësohet se në momentin e krimit, e zonja e shtëpisë është ndodhur në oborr. Ajo ka vrapuar pas krismës së armës, ndërsa është ndeshur me të shoqin në oborr. Ajo është tmerruar kur e ka parë atë me njolla gjaku, ndërsa ai ka mundur të shqiptojë vetëm pak fjalë: kam vrarë Mondin.
© Panorama.al











