
Edhe pse është vlerësuar përgjatë gjithë karrierës së tij me shumë çmime, titulli “Mjeshtër i Madh” përbën një moment shumë të veçantë në krijimtarinë e kineastit Kujtim Gjonaj. Një dekoratë nga Presidenti i Republikës nuk është pak, por edhe më e madhe është kënaqësia, kur sheh pranë vetes kaq shumë miq e kolegë, që ndajnë gëzimin me të. Dje, në ambientet e Arkivit Qendror të Filmit, u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” për dokumentaristin, regjisorin e skenaristin Kujtim Gjonaj. Për këtë ditë të veçantë ishte menduar shfaqja e një prej dokumentarëve të tij, të pranishmit kishin shkruar fjalime të gjata, por asgjë nga këto nuk u realizua, për shkak të mungesës së energjisë elektrike në AQSHF. Një situatë që vuri në siklet jo “dollibashin”, por edhe të “zonjën” e shtëpisë, drejtoreshën Elvira Diamanti, e cila u ndje e pazonja të dilte nga një situatë e tillë absurde. Por ndoshta ishte “për syrin e keq”. Me dritat e kamerave dhe në sfondin e fotografive nga filma të ndryshëm shqiptarë, në emër të Presidentit Bamir Topi, sekretari i përgjithshëm, Aleksandër Flloko i dorëzoi kineastit dekoratën për kontributin dhe meritat e shquara që Gjonaj ka dhënë në kinematografinë shqiptare. Më pas një trokitje gotash e ndarje kujtimesh me miqtë. Në një intervistë të shkurtër, autori i rreth 100 filmave dokumentarë ndan emocionet e këtij momenti.
Z. Gjonaj, sapo jeni vlerësuar “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, ç’përbën ky moment në krijimtarinë tuaj?
Është kulminacioni i vlerësimit të krijimtarisë sime. Është një ditë që të jep një kënaqësi dhe emocione të veçanta. Duke parë këtë vlerësim që të bëjnë kolegët dhe që konkretizohet me urdhrin e Presidentit të Republikës, të del para syve e gjithë rruga jote dhe i thua vetes: Nuk qenkam lodhur kot, paskam bërë dhe unë diçka të mirë, sado e vogël, në këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë, që quhet arti dhe kultura shqiptare. Kam vënë edhe unë atë gur të vogël në atë mur të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Veç vlerësimit me dekoratë, më gëzoi së tepërmi fakti që kishin ardhur kaq shumë miq e shokë, kolegë, shkrimtarë, me të cilët kam punuar qysh në stadet e para të krijimtarisë sime, deri tani.
Karriera juaj është shumëplanëshe, megjithatë jeni ndalur më gjatë tek dokumentari, ç’ju ka tërhequr te kjo gjini?
Filmi dokumentar është pasqyrimi i drejtpërdrejtë i jetës së përditshme. Në mënyrë figurative dokumentari dhe dokumentaristët janë shkruesit e historisë së një vendi, mirë apo keq. Me atë që bëjnë, ata mbajnë dhe një qëndrim vlerësues për këtë histori. Për mua dokumentari ka qenë gjithnjë jeta e vërtetë, jeta aktive, filmi i vërtetë, që krijon emocione të fuqishme. Krijon asociacione të jashtëzakonshme për jetën, për njerëzit… Dokumentari të jep mundësi të shohësh shumë vende, të njohësh shumë njerëz, të njohësh historinë, të njohësh vendin tënd në gjitha kompleksitetin e tij. Unë kam realizuar filma historikë për figura të njohura të historisë së Shqipërisë, për këngët dhe vallet shqiptare, të cilat vijnë të interpretuara. Tek “Kështjella e këngëve” që eksperimentova për 20 vjet i kam mëshuar idesë që armiku mund ta pushtojë një vend, mund ta djegë, ta shkatërrojë, ta dhunojë, por shpirtin nuk ia rrëmben dot kurrë një popull. E nëse nuk e arrin dot këtë, pushtimi nuk ka ndodhur dhe një moment armiku do tërhiqet. Fakti që në folklorin tonë ruajmë me fanatizëm këngët dhe vallet e vjetra, kostumet tradicionale, veglat muzikore, tregon se ky popull nuk u shua asnjëherë. Për fatin e mirë, ky film i mori të gjitha vlerësimet e mundshme në atë kohë, kupën e festivalit, çmimin e parë dhe çmimin e spektatorit. Filmi artistik krijon emocione të tjera, sepse më tej hyn aktori, fjala… Jo se filmin artistik nuk e kam për zemër, por e shihja që mundësitë dhe dhuntitë e mia ishin drejtuar më shumë te dokumentari, pasi edhe unë jam gazetar.
Ju keni krijuar në dy kohë, para dhe pas ’90-s, si e vlerësoni krijimtarinë tuaj në këto dy periudha?
Pa lënë shteg për keqinterpretime, do t’ju thosha që Kujtimi i para ’90-s është ai i pas ’90-s. Një krijues duhet të jetë emotiv, serioz, kërkues për veprën e vet dhe të realizojë vepra të bukura artistikisht në çdo kohë. Nuk ndërron koha dhe ndërrojnë emocionet. Kërkesat ndaj vetes janë të njëllojta. Unë kam marrë vlerësime dhe çmime të para, para dhe pas ’90-s. Sa i takon faktorit kohë nuk shoh asnjë ndryshim te vetja. Është i njëjti pasion, përkushtim dhe dashuri për filmin. Për këtë do t’ju marr një shembull. Dikur kemi bërë filma për arritjet e asaj kohe. Përkushtimi ka qenë tepër i madh, qoftë edhe kur bënim filma për figurën e Enverit dhe për këtë po tregohem shumë i sinqertë. Pasi ishte respekti im ndaj veprës, jo ndaj personit. Me të njëjtin pasion dhe dashuri kam xhiruar edhe Nënë Terezën. “Më e madhja dashuri” është vlerësuar si një nga filmat më të mirë të atij viti, mora çmime dhe një vlerësim monetar, se kishin filluar të jepnin atëherë, por e kam bërë me shumë dashuri dhe e quaj një film të mirë. Në qendër është partia, Enveri, populli që punon e djersin, pra historia jonë, dhe unë nuk dua ta mohoj atë si mund të bëjnë shumë të tjerë. Ajo është pjesë e krijimtarisë sime dhe unë nuk mund ta mohoj. Me të njëjtën përgjegjësi dhe seriozitet kam realizuar filmat për Jeronim de Radën, Nënë Terezën, Faik Konicën, “Ëndrrën e Çamërisë, “Drejt Europës”, “Shembja e idhujve” që ka marrë çmim në Palermo e kështu me radhë. Sa i takon ndryshimit mes dy “kohëve”, tashmë jemi të lirë të krijojmë pa qenë nën trysninë e censurës dhe mundësitë janë më të mëdha.
Pas filmit “Ëndrra e Çamërisë”, për të cilin jeni nderuar dhe me çmimin “Kult”, cili është projekti i radhës?
Kam një film konkret mbi të cilin po punoj. Jam në fazat e xhirimit, por vapa nuk po na lejon ta mbarojmë në kohë. Bëhet fjalë për një figurë të shquar si Hasan Tahsini, një figurë shumë komplekse, jo vetëm patriot, por edhe gjeni i shkencës, astronomisë, themelues i Universitetit të Stambollit. Është një film dokumentar që zë fill në shkollën “Hoxha Tahsin”, ku edhe unë kam qenë nxënës këtu në Tiranë, apo rruga “Hoxha Tahsin” që e kam përshkuar përditë, kur isha i vogël dhe një fëmijë bëhet kurioz të dijë se kush është kjo figurë, emrin e të cilit e mban shkolla apo rruga e tij dhe kështu zbulohet gradualisht figura e të madhit Hoxha Tahsin. Është një projekt me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Filmit. Veç kësaj kam në proces një film për jetën dhe veprën e Margarita Xhepës, e cila është unikale, e papërsëritshme dhe që e mbuloj vetë financiarisht.
Sërish një përfaqësues i komunitetit çam…
Popullsia çame është shumë vitale, me një shpirt tepër të ndjeshëm. Sot më kishin nderuar shumë pjesëtarë të këtij komuniteti. Është një popullsi me shpirt të madh, me vlera qytetare dhe kombëtare, me figura të shquara, si Hasan Tahsini, por edhe figura të tjera si Mitrush Kuteli, Dora d’Istria, që janë me origjinë nga Çamëria. Por kanë edhe një folklor të jashtëzakonshëm që ka mbijetuar në kohë. Kur xhironim në Janinë dëgjuam rastësisht këngën në shqip “Qan Minushi”, një valle që njihet në mbarë trevat shqiptare. Iu afruam, ai vërtet nuk dinte shqip, por vallen dhe këngën e këndonte shqip. Si duket ishte çam i greqizuar. Është një krahinë me shumë vlera dhe ia vlen të hulumtohet, të kërkohet.
ALMA MILE











