Gjobitën Bombajn, 4 në gjyq

Sep 19, 2011 | 12:21
Arkimed Lushaj (Stresi) dhe Leonard Bombaj

Katër persona do të dërgohen në gjyq me akuzën e gjobëvënies ndaj regjisorit Leonard Bombaj.Prokuroria e Krimeve të Rënda është drejt përfundimit të hetimeve, pasi i ka njoftuar akuzat shtetasve Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi dhe Elis Bashaj, të dy nën masën e sigurisë detyrim paraqitje. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, për të njëjtën akuzë në bashkëpunim janë të pandehur shtetasit me iniciale R. Kallabaku dhe S. Kallabaku. Këngëtari Arkimed Lushaj dhe i pandehuri tjetër, Elis Bashaj, nuk i kanë pranuar akuzat, ashtu si dhe të akuzuarit në kërkim që i kanë hedhur poshtë ato përmes avokatëve. Sipas Prokurorisë, hetimi filloi më 20 shtator 2009. Shtetasja A. Xh, i ka treguar shokut të saj, Arkimed Lushaj, se Leonard Bombaj kishte kryer në disa raste marrëdhënie seksuale me dhunë qysh kur ajo ishte në moshën 10 vjeç. “Nisur nga kjo, sipas prokurorit, me 22. 07. 2010, A. Xh bashkë me Arkimed Lushaj, R. Kallabaku dhe Erlis Bashaj kanë shkuar në banesën e Leonard Bombajt, e me pretendimin që ta mbyllnin problemin e marrëdhënieve seksuale të kryera prej tij, ai duhet t’u jepte 20 000 euro. Bashkërisht kanë shkuar në një bankomat, ku shtetasi me kartën që dispononte, tërhoqi 50 000 lekë dhe ua dha personave që e detyruan. Gjithashtu, sipas prokurorit, me pas ata detyruan Leonard Bombajn që të bënin një kontratë shitje të automjetit të tij dhe ia morën këtë automjet. Në këto raste, Erlis Bashaj është paraqitur si shef i Policisë Kriminale, duke i kërkuar 3000 euro që ta mbyllte çështjen me organin e drejtësisë. Pas kërkesës së Leonard Bombajt, makina iu kthye atij nga Sali Lushaj, baba i Arkimed Lushaj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë në lidhje me ngjarjen. Pak ditë më parë, këngëtari i njohur me emrin Stresi, u thirr në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku mohoi akuzat e ngritura ndaj tij dhe shprehu besim se Drejtësia do të zbardhë të vërtetën.

Të akuzuar
– Arkimed Lusha,
(Stresi)
– R.Kallabaku
– S.Kallabaku
– Erlis Bashaj

Akuza:
Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë

© Panorama.al

Te lidhura