TIRANE – Një 40-vjeçar nga kryeqyteti akuzohet nga Prokuroria se ka mbajtur peng për një natë dhe ka vjedhur me dhunë dy pronarët e një mobilierie, të cilëve iu ishte hequr si klient. Po sipas Prokurorisë, gjatë kohës së “pengmarrjes” ai dyshohet t’i ketë prangosur, rrahur, t’i ketë zhveshur dhe t’u ketë dhënë ilaç për gjumë dy “pengjeve”. Ngjarja e pazakontë është shënuar më 11 nëntor të këtij viti në lagjen “Ali Demi” në Tiranë. Në lidhje me këtë ngjarje, organi i akuzës po zhvillon hetime ndaj shtetasit Aleksandër Tusha, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim” dhe “heqje të paligjshme të lirisë”. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë për lejimin e një kontrolli në banesën ku dyshohet se ka ndodhur “pengmarrja”. “Sipas përfaqësuesit të Prokurorisë, ushtrimi i një kontrolli në banesën e cituar më lart është i nevojshëm pasi dyshohet se vepra penale për të cilën është duke hetuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet të ketë lënë gjurmë në këtë banesë”, thuhej në vendimin e shpallur nga gjyqtari Ardian Kalia. “Shtetasit Evin Ç. dhe Aliko H. kanë një pikë montimi mobilierie të ndodhur në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Në datën 11.11.2011, në dyqanin e tyre ka shkuar një person me emrin Sandri, i cili ka kërkuar të bëjë një kuzhinë si dhe një portmonto për shtëpinë e tij. Pasi kanë lënë një pikë takimi pranë pallatit ku banon shtetasi me emrin Sandri, ata kanë shkuar atje dhe janë takuar me këtë të fundit, i cili ka thirrur në telefon edhe një shokun e tij dhe së bashku janë ngjitur në banesën e tij në katin e tetë. Sapo kanë hyrë brenda, Sandri ka mbyllur derën dhe i ka lidhur të dy personat me pranga dhe pasi i ka shtrirë në tokë, u ka bërë kontroll në xhepa, duke u marrë të gjithë sendet personale që kishin me vete. Rezulton se më pas ata u kanë kërkuar para duke u kërkuar respektivisht secilit nga një shumë të caktuar. Konkretisht, shtetasit Aliko H. i kanë kërkuar 10.000 euro, dhe kur ai nuk ka pranuar, shtetasi me emrin Sandër e ka rrahur e për më tepër rezulton se është kafshuar nga një qen rodvailer, të cilin ai e mbante në banesë. Më pas, të dy të lartpërmendurit i kanë zhveshur dhe i kanë lidhur te disa karrige kashte të ndodhura në papafingo, ku u kanë dhënë ilaçe për t’i vënë në gjumë. Të nesërmen, pasi ata janë ngritur nga gjumi, ai i ka lënë të lirë, duke u marrë sasinë e parave që ata kishin me vete, si edhe çelësat e automjetit të cilin ata e kishin të punës së tyre”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që urdhëronte kontrollin e banesës së Tushes. Në të njëjtin vendim, Gjykata përcaktonte edhe emrat e dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, që do të ekzekutonin urdhrin në fjalë.
Procedura
Pengmarrja e dy pronarëve të mobilierisë në lagjen “Ali Demi” në Tiranë ka ndodhur në muajin nëntor, mirëpo Prokuroria e kryeqytetit, e cila po zhvillon hetime në lidhje me ngjarjen, ka bërë të ditur se i kërkoi autorizim gjykatës për të hyrë në banesën ku dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Hyrja në këtë banesë sipas ligjit bëhet vetëm me urdhër të lëshuar nga Gjykata, pasi ndryshe mbledhja e provave pa lejen e Gjykatës
konsiderohet e parregullt.











