
Gjykata e Tiranës zbardh vendimin që dënoi me gjobë për “mospagim të taksave dhe tatimeve” Teuta Çarçanin, vajzën e ish-kryeministrit Adil Çarçani.Sipas vendimit të shpallur pak kohë më parë, Teuta Çarçani, administratore e një shoqërie qeramike, nuk ka shlyer një detyrim tatimor prej 1.163.650 lekë. Teuta Taçani u deklarua fajtore nga Gjykata dhe u dënua me 300 mijë lekë të rinj gjobë. Për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar dhe përfitimeve që rrjedhin prej tij, përfundimisht ajo u dënua me 200 mijë lekë gjobë. Referuar vendimit të gjykatës, mësohet se taksat e papaguara kishin të bënin me sigurimet shoqërore të punonjësve dhe tatimin mbi të ardhurat personale për periudhën tatimore shtator 2008 – nëntor 2009. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata, referuar provave të paraqitura nga ana e Prokurorisë, ka vlerësuar se shoqëria që administrohej nga Çarçani e kishte aftësinë paguese të taksës.
VENDIMI
Sipas vendimit të gjykatës, subjekti i administruar nga Çarçani gjatë periudhës tatimore që i përket vitit 2009, ka ushtruar aktivitetin “tregti artikuj të ndryshëm”. “Teuta Çarçani ka fituar cilësinë e përfaqësuesit ligjor që nga data 07.02.2009. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti është njoftuar për detyrimin tatimor. Ndaj subjektit janë marre masat administrative përkatëse dhe, me gjithë aftësinë paguese, ky subjekt nuk e ka shlyer detyrimin tatimor”, thuhej në vendimin e gjykatës. Referuar vendimit, nga gjykata aftësia paguese e subjektit është provuar me këqyrjen e pasqyrës financiare të vitit 2008. Sipas tyre, shoqëria figuronte me likuiditete në arkë e në bankë, në shuma shumëfish me të mëdha se taksa e papaguar. “I pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore si person nen hetim, shtetasi Teuta Çarçani ka deklaruar ndër të tjerash se: ‘…E pranon faktin e këtij detyrimi, por kjo ka ardhur si rezultat i largimit të ortakut italian dhe mbetjes së shoqërisë vetëm në emrin tim. Jam e ndërgjegjshme për respektimin e ligjit për pagimin e taksave e tatimeve brenda afatit kohor…’. Gjatë gjykimit, doli e provuar se e pandehura Teuta Çarçani ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të ‘mospagimit të taksave dhe tatimeve”, thuhej në vendimin e gjykatës.
1.2 milione
ishte afërsisht detyrimi tatimor i papaguar për nga ana e administratores Çarçani, në lidhje me sigurimet shoqërore të punonjësve dhe TAP për një periudhë 15-mujore
Kallëzimi nga Tatimet
Vajza e ish-kryeministrit Adil Çarçani u dërgua si e pandehur në Gjykatë, pas një kallëzimi në Prokurorinë e Tiranës nga ana e Drejtorisë së Tatimeve të kryeqytetit. Drejtoria e Tatimeve iu drejtua organit të akuzës, pasi konsumoi format administrative përkatëse, duke njoftuar për detyrimin e pashlyer.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











