Gjobat ndaj partive politike kanë bashkuar të majtët dhe të djathtët kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. PD-ja dhe PS-ja kanë kërkuar nga KQZ që të tërheqë projekt-aktin, i cili ndëshkon me gjobë partitë për moszbatimin e kuotës gjinore, me pretendimin se janë tejkaluar afatet administrative. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, deklaroi se vendimi i KQZ-së bie ndesh me ligjin për kundërvajtjet administrative dhe se kërkesa për penalizim është jashtë afateve. “Unë dua të them se kërkesa e KQZ s’ka bazueshmëri ligjore, pasi është në kundërshtim me ligjin. Sipas ligjit për kundërvajtjet administrative, në nenin 17 sqarohet se shqyrtimi bëhet brenda 30 ditëve nga konstatimi i saj, por jo më vonë se 6 muaj pas kryerjes së kësaj kundërvajtjeje. Pra, në këtë rast, KQZ është jashtë këtij afati”, pohoi Gjonçaj. Edhe PD dhe LSI kanë kërkuar nga KQZ që të tërheqë projekt-aktin për tejkalim afatesh.
Propozimi i PD
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti, ka kërkuar që zbatimi i nenit 67 për barazinë gjinore të zbatohet për gjysmën e listave zgjedhore. Kosovrasti deklaroi se plotësimi i listave në koalicione nuk është i detyrueshëm, ndërsa për partitë që kanë të vetme në garë, lista zgjedhore duhet plotësuar e tëra. Sipas tij, “detyrimi për numrin dhe vlerësimi i raportit gjinor 2 me 1, duhet parë vetëm për pjesën e parë. Pra, në qoftë se këshilli bashkiak është me 17 vende, rregullshmëria e zbatimit të nivelit gjinor duhet parë deri te 9-ta. Dhe, në qoftë se bëhet një interpretim i tillë, atëherë të gjitha masat me gjobë duhet të rishikohen”.
Akuzat politike
Mbledhja e KQZ-së është shoqëruar me replika midis kryetarit Arben Ristani dhe përfaqësuesit ligjor të PS-së, Genc Gjonçaj. Ky i fundit akuzoi KQZ-në se me gjobitjen e të gjithë subjekteve po tentohet të pastrohet imazhi i saj, duke treguar që është mbi palët. Kjo deklaratë ka acaruar tonet dhe është shoqëruar me debate midis Ristanit dhe Gjonçajt. Mbledhja e KQZ-së pas paraqitjes së pretendimeve të palëve është shtyrë për një afat të papërcaktuar.
Gjobat
Në zgjedhjet vendore të 8 majit, në total KQZ ka konstatuar se barazia gjinore nuk është respektuar në 2086 njësi vendore dhe totali i gjobës për 53 partitë politike arrin vlerën e 62 milionë lekëve. Më e penalizuara në listën e KQZ-së është Partia Socialiste, e cila sipas të dhënave nuk ka respektuar kuotën gjinore në 242 njësi vendore dhe totali i gjobës është 7.2 milionë lekë. E dyta në listë është LSI-ja, e cila ka kryer shkelje në 212 njësi vendore dhe totali i gjobës është 6.3 milionë lekë. Dhe e treta në listë është PD-ja, e cila është gjobitur me 4.5 milionë lekë për shkelje në 153 njësi vendore.
Kodi Zgjedhor
Neni 67
6. Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore për zgjedhjet në Kuvend, sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga KQZ-ja. Mosrespektimi i kushtit të përcaktuar në pikën 5 të këtij neni, për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, ndëshkohet sipas nenit 175 të këtij Kodi.
Neni 175
Sanksionet në lidhje me barazinë gjinore
Mospërmbushja e detyrimeve të parashikuara në fjalinë e fundit të
pikës 6 të nenit 67 të këtij Kodi nga ana e subjektit zgjedhor dënohet me gjobë nga KQZ-ja me 30 000 lekë për çdo zonë zgjedhore.
Lista e partive të gjobitura nga KQZ
Partia Njësi vendore Gjoba lekë
PD 153 4.590.000
PSSH 242 7.260.000
LSI 212 6.360.000
PDIU 52 1.560.000
PRSH 15 450.000
AD 59 1.770.000
PBDNJ 153 4.590.000
PDK 89 2.670.000
PSD 122 3.660.000
LZHK 67 2.010.000
PSV91 67 2.010.000
PLGJ 27 810.000
PDS 76 2.280.000
PBK 63 1.890.000
PG99 45 1.350.000
PLL 106 3.180.000
PGJ 25 750.000
PKSH 38 1.140.000
PÇSH 1 30.000
Gazetar: FATION BINJAKU
© Panorama.al











