Një ditë pas bërjes publike të vendimit të Ministrisë së Ekonomisë për vendosjen e gjobës 500 mijë euro ndaj kompanisë “CEZ Shpërndarje” ka reaguar kjo e fundit, duke shprehur habinë për këtë vendim që vjen një javë pas gjobës së parë prej 30 milionë lekësh. Kompania në një njoftim për shtyp thekson se vendosja e këtyre gjobave nuk është rruga e duhur për zgjidhjen e problemit. Gjobat e vendosura nga METE kanë pasur si argumentim faktin që nga CEZ nuk është bërë verifikimi i matësve përmes një pale të tretë, që është e licencuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Por duke qenë se nga ana e CEZ-it ka pasur disa rezerva, çështja e amendamenteve të miratuara nga ERE, që sanksionojnë këtë pjesë i ka kaluar Gjykatës. Ndërkohë, që në njoftimin e djeshëm CEZ detajon se edhe gjatë kësaj jave janë zhvilluar takime me Ministrinë e Ekonomisë dhe përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë lidhur me këtë çështje në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e përkohshme që do të zgjidhë këtë problem deri në fund të këtij viti. “CEZ Shpërndarje i ka kërkuar DPM që të nënshkruajë një marrëveshje të përkohshme deri në fund të vitit 2011, me qëllim që të fillojë puna e verifikimit të matësve derisa të zgjidhen çështjet e sipërpërmendura, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kjo e fundit”, thuhet në deklaratën e CEZ.











