Kryeministri Edi Rama ka reaguar një ditë pasi Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ndryshoi masën e sigurisë për 6 profesorë të Universitetit Bujqësor, nën hetim nga SPAK për korrupsion e abuzim me tendera, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Kreu i qeverisë shprehet se është i lehtësuar pas këtij lajmi, duke renditur edhe disa nga arsyet, ku një prej tyre sipas tij është që “drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie”.
“Jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet”, shkruan Kryeministri.
Edi Rama theksoi se pushteti politik është tërhequr nga fusha e drejtësisë duke u shprehur se ia kanë lënë asaj që t’i hetojë dhe gjykojë nëse shkelin ligjin.
“Shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standarteve demokratike të drejtësisë europiane”, deklaroi ai.
Kreu i qeverisë shprehet se peshorja është e tyrja dhe se nuk do të ndërhyjnë në brendinë e çështjeve,por theksoi se “sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht”.
Reagimi i plotë i Ramës:
Ja pse jam i lehtësuar me lajmin e rrëzimit në Gjykatën Speciale të 20 masave të sigurisë (nga 24) në Universitetin Bujqësor:
- Drejtësia për shkeljet e pretenduara të tre viteve më parë, as nuk pengohet as nuk ndihmohet nga ato masa sigurie, ndërsa jeta personale e familjare e kujtdoqoftë që mund të jetë krejt i pafajshëm, kthehet në një ferr padrejtësie me pasoja traumatike.
- Prokurorët dhe gjykatësit mund ta bëjnë tani pa asnjë ndryshim, deri në fund, detyrën e tyre dhe fajtorët e mundshëm nuk kanë asnjë shans të shpëtojnë, nëse kanë prekur fondet publike. Por ama jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik, stabiliteti psikologjik i komunitetit të pedagogëve, studentëve, prindërve nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e vet.
- Aleanca strategjike e UBT me Universitetin BOKU të Vienës, që u krijua me një përpjekje të madhe të qeverisë dhe programi ambicioz i transformimit rrënjësor, e i njehsimit të diplomave BOKU/UBT2030???????? nuk kërcënohet më nga humbja e besimit të partnerëve austriakë përballë panoramës lemeritëse të 24 masave të sigurisë, a thua se bëhet fjalë për ndonjë operacion në fshatin Corleone!
Duam luftë pa kompromis kundër korrupsionit, ndëshkim pa mëshirë për çdo dorë që hyn në xhepat e popullit, por po ashtu, nuk mund të bëjmë kompromise në mbrojtje të normave demokratike europiane të drejtësisë.
Pas 100 e kusur vitesh e kemi tërhequr pushtetin politik nga fusha e drejtësisë dhe ia kemi lënë drejtësisë të na hetojë e gjykojë edhe ne, si të gjithë të tjerët, nëse shkelim ligjin.
Shpatën e ndëshkimit ia kemi dorëzuar SPAK-ut. Peshoren e drejtësisë ia kemi besuar Gjykatës Speciale. Por fashon e pavarësisë e paanësisë prokurorët, e sidomos gjykatësit, duhet ta bëjnë pa humbur kohë pjesë të lëkurës së tyre profesionale, në respekt të prezumimit të pafajësisë, të lirive e të drejtave të njeriut, të standarteve demokratike të drejtësisë europiane.
Prandaj, shpatën ta mbajnë lart, e kanë gjithë mbështetjen tonë. Peshorja është e tyrja, nuk ndërhyjmë në brendinë e çështjeve. Por sa herë do t’ua shohim sytë të pambuluar e deri edhe me gjak, nuk do të ngurrojmë ta themi publikisht.
Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si kjo statujë e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë.
© Panorama.al











