
GJIROKASTER- Tre të lënduar nga rrëshqitjet në kalldrëmet e Gjirokastrës, është bilanci gjatë 24 orëve të fundit pas situatës së rreshjeve të dendura të dëborës që përfshinë jugun e vendit. Shkak ka qenë bora e ngrirë si pasojë e uljes së mëtejshme e temperaturave në qytetin e gurtë një ditë pas rreshjeve të dendura të dëborës.
Dy të moshuar dhe një grua 34 vjecare, janë “viktimat” e ngricave që kanë pushtuar qytetin e Gjirokastrës në 24 orët e fundit. Veli Jaupaj, 74 vjeç, është lënduar duke patur thyerje të parakrahut mëngjesin e të premtes. Teksa po shkonte për të bërë pazar, ai rrëshqiti dhe përfundoi në spital me parakrah të thyer. Ky episod u shoqërua edhe me dy raste në lagjet “Hazmurat” dhe “Palorto” ku dy të tjerë patën lëndime të lehta në pjesë të ndryshme të trupit, si pasojë e rrëshqitjes nga ngricat.
Në këto kushte, qarkullimi si i këmbësorëve ashtu edhe i automjeteve, ka qenë gati i pamundur. Lagjet më problematike kanë qenë “Pazari i Vjetër”, ”Dunavat”, “Manalat”, “Cfakë”, “Palorto” dhe “Hazmurat” ku dhe rreshjet e dëborës kanë qenë më të mëdha për shkak të lartësisë në raport me pjesën tjetër të qytetit.
Banorët apelojnë për marrjen e masave nga ana e Bashkisë së qytetit për hedhjen e skorjeve apo kripës me qëllim normalizimin e lëvizjeve. Deri më sot strukturat e bashkisë, nuk kanë marrë asnjë lloj mase për sistemimin e plehrave që ndodhen në kazane prej dy ditësh dhe as për hedhjen e kripës nëpër kalldrëmet e ngrira.
Piro Nase
© Panorama.al











