Gjirokastër, në pranga dy vëllezër me 6 pako marijuanë

Nov 4, 2011 | 19:49

Dy vëllezër nga fshati Nepravishtë në afërsi të Libohovës në pjesën juglindore të rrethit të Gjirokastrës, kapen për trafikim të një sasie të konsiderueshme kanabis sativa.

Tafil dhe Levend Beqari 42 dhe 44 vjeç, janë arrestuar nga forcat e Komisariati të Policisë së Gjirokastrës me gjashtë pako marijuanë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së premtes kur specialistët e Parandalimit dhe Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, ishin vënë në dijeni se në banesën e dy vëllezërve në fshatin Nepravishtë, gjendej një sasi e papërcaktuar bime narkotike e bërë gati për trafikim.

Droga, është gjetur në bodrumin e banesës dy katëshe, e cila përdoret për depozitimin e sendeve të ndryshme të familjes Beqari. Policia ka sekuestruar lëndën narkotike në cilësinë e provës materiale, si dhe arrestuar vëllezërit Beqari, për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Ky është rasti i tretë brenda javës, që Policia e Gjirokastrës kap dhe sekuestron marijuanë në terrirorin e qarkut.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura