Gjermania financon 50 mijë dronë sulmues për Ukrainën, paketa më e madhe e mbështetjes ushtarake ndonjëherë

Jul 12, 2026 | 15:52

Gjermania do të financojë furnizimin e Ukrainës me 50 mijë dronë sulmues, në një nga paketat më të mëdha të mbështetjes ushtarake të këtij lloji të shpallura deri më tani nga një shtet perëndimor, raportoi Reuters, duke cituar një burim të informuar.

gjermania

Sipas raportit, dronët janë të pajisur me softuer të zhvilluar nga kompania amerikane e teknologjisë së mbrojtjes Auterion, i cili u mundëson atyre të gjurmojnë dhe të godasin objektiva në lëvizje në mënyrë autonome.

Drejtori ekzekutiv i Auterion, Lorenz Meier, konfirmoi për Reuters madhësinë e kontratës, duke bërë të ditur se ajo kap vlerën e rreth 90 milionë eurove (103 milionë dollarë) dhe financohet nga një shtet evropian.

Sipas Meier, një pjesë e dronëve tashmë është dorëzuar te autoritetet ukrainase, ndërsa pjesa e mbetur pritet të dërgohet brenda këtij viti.

Që nga fillimi i luftës me Rusinë, Ukraina është mbështetur gjerësisht te sistemet ajrore pa pilot për operacionet ushtarake. Kievi ka rritur ndjeshëm edhe prodhimin vendas, duke prodhuar miliona dronë çdo vit, ndërsa forcat ukrainase kryejnë çdo ditë mijëra misione dhe sulme me mjete ajrore pa pilot.

© Panorama.al

Te lidhura