Komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë është krijuar prej largimit me forcë nga Greqia të të gjithë shqiptarëve myslimanë, në veçanti atyre çamë, prej Luftës së Parë Botërore në disa valë, që përfunduan plotësisht me masakrën e fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur u vranë rreth 3000 veta, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Rreth 3000 të tjerë vdiqën rrugës nga uria dhe vuajtjet, duke u larguar për në Shqipëri. Praktikisht sot në Greqi nuk ka më komunitet shqiptar mysliman, me përjashtim të atij ortodoks, rreth 100 mijë veta, që popullojnë Greqinë e veriut, komunitet që i gjendur nën trysninë shtetërore dhe shoqërore greke nuk ka guxim të afirmojë identitetin e vet shqiptar, veçse në mjedise të mbyllura. Ky komunitet ishte komunitet i pasur, që dominonte ekonomikisht Greqinë e veriut.
Komuniteti shqiptar çam nuk ishte i vetmi që u përzu nga Greqia pas Luftës së Dytë Botërore. Bashkë me të u asgjësua thuajse gjithë komuniteti hebre i Greqisë, që popullonte Selanikun kryesisht. U largua gjithashtu me forcë dhe komuniteti sllavo-maqedon, që banonte kryesisht Maqedoninë greke. Ky spastrim i fundit u krye gjatë së ashtuquajturës Luftë Civile greke, të zhvilluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur me humbjen e së majtës dhe vendosjen e një regjimi të djathtë, nga vendi u larguan prej frikës së kërcënimeve dhjetëra mijë qytetarë grekë, me origjinë greke, por dhe me origjinë maqedonase, shqiptare etj. Ajo që i ndodhi komunitetit tonë të shkulur plotësisht nga vatrat e veta në territore që sot bëjnë pjesë në Greqinë e veriut, është gjenocid i pastër, sipas përkufizimit të nenit 2 të Konventës së OKB mbi gjenocidin të vitit 1948. Komuniteti ynë, dikur minoriteti shqiptar në Greqi, me shtetësi greke, iu nënshtrua planeve për asgjësim apo shkulje nga territori i të parëve të vet prej qeverive greke që pasuan njëra-tjetrën nga viti 1915 deri në vitin 1950, nëpërmjet përdorimit të disa teknikave gjenocidale që autori më i njohur në botë për gjenocidin, Raffael Lemkin, do të konsideronte si:
Teknika politike: diskriminim nga çdo lloj mundësie përfaqësimi politik në të gjitha nivelet e pushtetit, ndalimi të përdorimit të gjuhës, simboleve, arsimimit etj; heqja e shtetësisë greke në disa raste, më i fundit në vitin 1948 me ligjin grek që u hoqi në mënyrë kolektive shtetësinë greke të gjithë shqiptareve çamëve të larguar me forcë në vitet 1944-1945. Teknikave sociale: shkatërrimit të identitetit kombëtar në fushat shoqërore, goditjes së klerit mysliman, të intelektualëve të komunitetit çam etj.; ndalimit të afirmimit të identitetit kombëtar në të gjitha mjediset publike, diskriminimit në punësim, në të drejta etj. Teknikave kulturore: përvetësimit të monumenteve, historisë, valleve, këngëve etj.
Teknikave ekonomike: konfiskimi i pasurive, shpronësimet e ndryshme, reformave agrare të viteve nga 1923 deri në 1940 dhe që pasuan me ligje të tjera të viteve 1950-1960. Këto akte ligjore tentuan të fshijnë në kuadrin legjislativ grek çdo të drejtë pronësie të komunitetit tonë, minoriteti më i pasur etnik në Greqinë e veriut. Për t’u shënuar Ligji i Luftës 2636/1940, i cili vendosi në sekuestrim konservativ të gjitha pronat e shtetasve shqiptarë, dikur shtetas grekë të përzënë me forcë në vitet 1923-1940. Ky ligj është akoma në forcë në të drejtën e brendshme greke për t’u ndaluar shqiptarëve të rikthehen në pronat e tyre.
Teknikave fizike: internime në vitin 1940, vrasje masive në vitin 1944 dhe në vitin 1945 dhe largim me forcë në qershor të vitit 1945 të rreth 30 mijë çamëve myslimanë që kishin mbetur në territorin grek, në vatrat e të parëve të tyre. I gjithë ky krim shtetëror grek i kryer nga të gjitha qeveritë që kanë pasuar njëra-tjetrën prej viteve 1920 deri në vitin 1950, konsiderohet nga autorë grekë dhe ndërkombëtarë si “pastrim etnik”. Qeveritë demokratike greke, ndërsa kanë pranuar ta shqyrtojnë këtë çështje në vitet e para pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri dhe marrëdhënieve normale diplomatike mes dy vendeve, sot e konsiderojnë si një çështje që “nuk ekziston”. Pavarësisht se si përkufizohet, “pastrim etnik” apo “gjenocid”, ky krim kolektiv i shtrirë në kohë solli në asgjësimin apo largimin me forcë të një minoriteti mbi baza etnike dhe fetare nga territori grek. Pasuritë shqiptare në Greqi, pa llogaritur përdorimin e tyre për 50 vjet, vlerësohen në mbi 10 miliardë euro. Ne sot kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që t’i imponojë Greqisë, një shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian: a) Pranim publik të fajit prej Greqisë shtetit shkaktar të këtij gjenocidi. b) Dëmshpërblime për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij gjenocidi. c) Mundësi për anëtarët e komunitetit tonë për të vizituar tokat dhe varret e të parëve. d) Ngritje e lapidareve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe. e) Restaurim të së drejtës së pronësisë. f) Amendim të ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen. Këto nene bien në kundërshtim me European Convention of Human Rights, apo Universal Declaration of Human Rights që ndalojnë çdo lloj diskriminimi mbi bazën e kombësisë. g) Realizim të së drejtës së rikthimit në tokat e tyre të të gjithë atyre që e duan një gjë të tillë duke rifituar statusin e para Luftës së Dytë Botërore. h) Kompensim eventual të pronave të konfiskuara dhe pagim të të gjitha detyrimeve ligjore nga shfrytëzimi i këtyre pronave, depozitave bankare, fabrikave, trojeve bujqësore apo për ndërtim etj.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të dënimit të Gjenocidit, u rikujtojmë të gjithë bashkëpatriotëve shqiptarë dhe botës së qytetëruar atë çfarë ka ndodhur në Çamëri.












