
Gjenerali Agim Lala, ish-zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, i akuzuar në dosjen “Gërdeci”, e përjashtoi veten e tij nga çdo veprim i kryer për hartimin e dokumentacionit për Gërdecin.Ai tha se për veprimtarinë që kryhej në Gërdec, kanë pasur informacion të gjithë zyrtarët e Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura nga strukturat e Shtabit, deri te Presidenti i Republikës, që mbaheshin në korent me informacionet nga komunikatat operative operacionale mbi aktivitetin ditor të Ushtrisë. I paraqitur para gjykatës me uniformë ushtarake, gjenerali Lala, aktualisht Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, sqaroi firmat e tij në disa memo që kishin të bënin me Gërdecin. Sipas tij, firmosja ishte bërë për procedurë, në mënyrë burokratike. Lala u shpreh se ishte detyrim i tij ligjor të zbatonte urdhrat e eprorit të tij, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Gjenerali tha se dijeninë mbi demontimin e municioneve në Gërdec e kishte vetëm për shkak të komunikatave ditore operative, dhe jo për shkak të funksionit të tij.
DËSHMIA
Prokurori: A keni punuar në Shtabin e Përgjithshëm? Nëse po, në çfarë periudhe?
Lala: Kam punuar në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Kam qenë zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm. Në fund të vitit 2006 fillova punë si i komanduar, deri në korrik 2008.
Prokurori: Kush ishin detyrat?
Lala: Bazuar në ligjin mbi autoritetin e komandimit dhe rregulloren e brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes, neni 8, detyrat e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm janë: a) kur mungon shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ka të gjitha kompetencat e tij të deleguara; b)lehtëson veprimtarinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm e të tjerë. Në këtë periudhë, me urdhër të ministrit dhe shefit të SH.P. kam drejtuar të gjitha takimet për anëtarësimin e Shqipërisë në Nato.
Prokurori: Jeni njohur me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 138?
Lala:Jam njohur me VKM 138, pasi ka dalë në Fletoren Zyrtare.
Prokurori: Po me vendimin nr.7 datë 01.11.2007 të Komisionit të Posaçëm kategorizimin e municioneve?
Lala: Nuk jam njohur.
Prokurori: Keni dijeni për rrugën e ndjekur për këtë vendim?
Lala: Jo, nuk kam.
Prokurori: Ç’mund të na thoni për memon e datës 1.11.2007? (i tregohet memoja)
Lala: Nuk është firma ime. Nuk kam dijeni për memon.
Prokurori: A ju ka deleguar ndonjë detyrë Luan Hoxha për hartimin e projekt-urdhrit 2044 datë 07.12.2007?
Lala: Jo nuk kam asnjë delegim kompetence.
Prokurori: Ç’mund të thoni për memon e datës 22.11.2007 me subjekt “projekt-urdhër për kalim municionesh MEICO-s”?
Lala: Për sqarimin e kësaj praktike do të them që në praktikën e punë në Sh.P është përcaktuar në rregulloren e brendshme të Ministrisë së Mbrojtjes me hartimin, përpilimin e një urdhri caktohet një grup apo një drejtori e drejtuar nga titullarët, ose vetë titullari. Në rastin konkret, jam njohur me projekt-urdhrin 2044, “për kalim municionesh MEICO-s” përmes një memoje që më është paraqitur në 22 nëntor 2007. Kjo më është paraqitur nga Dashnor Caushi. Duke qenë detyrë e drejtpërdrejtë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, unë nuk kam sigluar dhe nuk më është kërkuar të sigloj në projekt.
Praktika në Ministrinë e Mbrojtjes, neni 17, pika 14 i rregullores së brendshme në çdo dokument, pas firmosjes nga titullari duhet të radhiten emrat e drejtorëve të drejtorive. Pra unë nuk kam sigël. Me këtë dokument jam njohur pasi u mora i pandehur. Ky dokument ka të bëjë me një memo të MEICO-s, dërguar Ministrisë së Mbrojtjes, e cila konteston projekt-urdhrin.
Ky projekt-urdhër i kontestuar është vazhduar si një praktikë e re, për mua një praktikë e panjohur. Nga data 26.11.07 deri në 7.12.07 është vazhduar punë për të planizuar 2044, për të cilin unë nuk di asgjë.
Prokuroria: Pse keni firmosur memon?
Lala: Unë nuk isha pjesë e grupit planizues. Arsyeja e firmosjes së memos nga unë është proceduriale. Është një pikëpamje hierarkike. Kjo pasi në Shtabin e Përgjithshëm mund të përpilohen në ditë 100 dokumente. Por për procedurë duhet të kalojnë përmes zyrës suaj. Unë nuk kam sigluar në urdhër, nuk isha hartues, por vetëm në memo. Pas datës 26.11.07 kjo memo, bashkë me projekt-urdhrin 2044, dalin nga fuqia dhe rrëzohen. Memo nuk është urdhër që më urdhëron. Nuk kam qenë i urdhëruar për të ndjekur vendimin 138 në pikat e tij përkatëse.
Prokurori: A kishit dijeni për demontimi?
Lala: Nuk kam pasur dijeni për demontimin në Gërdec dhe nuk kam pasur për detyrë funksionale ta ndiqja atë.
Prokurori: Keni nxjerrë ndonjë urdhër për shoqërimin e transportit të disa ngarkesave baruti?
Lala: Ka qenë një urdhër me delegim kompetencash nga Sh.P
Ishte urdhër i shefit të SH.P që unë duhet ta firmosja. Ishte një shënim që “këtë duhet ta firmosë gjenerali Agim Lala”.
Ishte urdhër i shefit të Sh.P për t’u firmosur nga unë në cilësinë e zv.shefit të Sh.P. Ky është detyrim ligjor imi, të zbatoj urdhrat e eprorit.
Prokurori: Në këtë urdhër ju urdhëruat Policinë Ushtarake të shoqërojë ngarkesa me municione nga dogana në Durrës. Po nga Gërdeci në doganë?
Lala: Nga Gërdeci në doganë nuk kam dijeni.
Prokurori: A keni njohur urdhrin 550 të Ministrisë së Mbrojtjes?
Lala: Nuk kam qenë i njohur dhe as i urdhëruar për zbatimin e tij.
Prokurori: A kishit dijeni për uzina ushtarake që demontonin municion?
Lala: Kisha dijeni që në uzina ushtarake demontohej.
Prokurori: A njiheshit me informacionet që nga repartet në lidhje me lëvizjen e municioneve?
Lala: Njihesha me komunikatën ditore operacionale. Kam pasur dijeni për çdo veprim që ndodhte, edhe ato të një ushtari, ashtu si kanë pasur edhe zyrtarë të tjerë deri tek Presidenti i Republikës. Por nuk kam pasur dijeni dhe detyrë funksionale për demontimin në Gërdec.
Avokati Brahim Lahaj: Në cilin urdhër, Luan Hoxha ka urdhëruar shoqërimin e transportit të barutit?
Lala: Është një shkresë me shkrim dore, që e ka Prokuroria në dosje. Është një urdhër i shefit të kabinetit, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, që “këtë dokument duhet ta firmosë brenda ditës Agim Lala”.
Prokurori: A ka memo të tjera të ndjekura në mënyrë burokratike?
Lala: Ka edhe memo të tjera që janë ndjekur në mënyrë burokratike.
Prokurori: A ishte urdhëruar për inicimin e projekt-urdhrit?
Lala: Nuk isha urdhëruar për inicimin e projekt-urdhrit, pasi nuk isha urdhëruar unë, por direkt drejtori përkatës.
Gjyqi drejt përfundimit, pyeten të akuzuarit
TIRANE – Avokati i të pandehurit Luan Hoxha, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, i kërkoi dje gjykatës që pyetjet për klientin e tij të paraqiteshim me shkrim. Duke iu drejtuar gjykatës, avokati Brahim Lahaj argumentoi kërkesën me volumin e dosjes dhe nevojën për përgatitje. “I duam pyetjet me shkrim. Kjo për të pasur kohën e nevojshme që të përgjigjemi”, tha avokati Lahaj. I njëjti pretendim u shfaq dje edhe nga i pandehuri Ndue Marku. “I dua qe pyetjet të na jepen me shkrim. Dosja është shumë voluminoze dhe unë e kam të nevojshme të konsultohem para se të jap përgjigjet”, tha i pandehuri Marku. Kërkesa u kundërshtua dje nga përfaqësuesit e akuzës në proces. Sipas tyre, të pandehurit pyeten si dëshmitarë dhe kështu pyetjet nuk mund të bëhen paraprakisht. Aktualisht gjykimi i dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës është në fazën e pyetjes të së pandehurve. ar.ba
Armand Bajrami
© Panorama.al











