
Kudret Çela e Arian Zaimi kërkojnë në gjyq anulimin e shkarkimit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, janë paditur në gjykatë nga dy prej ushtarakëve të lartë të shkarkuar nga detyra dhe nxjerrë në rezervë me dekret të Presidentit në dhjetor të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për ish-komandantin e Forcave Detare, kundëradmiralin Kudret Çela dhe ish-këshilltarin ushtarak të ministrit të Mbrojtjes, gjeneralmajor Arian Zaimi, dy nga katër ushtarakët e

lartë për të cilët më 16 dhjetor 2011, Presidenti i Republikës firmosi shkarkimin e tyre nga detyra. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Sipas burimeve, në kërkesë-paditë e tyre ushtarakët e lartë i kërkojnë gjykatës shfuqizimin e dekretit dhe të urdhrit për shkarkimin e tyre, si dhe mosndërprerjen e pagës së tyre deri në momentin e riemërimit në një detyrë tjetër të lartë ushtarake. Çela edhe Zaimi u shkarkuan nga detyra me dekret të Presidentit të Republikës më 16 dhjetor 2011. “Kundëradmiral Kudret Çela, komandant i Forcave Detare, shkarkohet nga detyra dhe nxirret në rezervë” dhe “gjeneralmajor Arian Zaimi, me detyrë këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes, nxirret në rezervë”, thuhej përkatësisht në dekretet e Presidentit. Në të njëjtën ditë, Presidenti dekretoi shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë edhe për dy ushtarakët e tjerë të lartë, zëvendëskomandantin e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Valdimir Qiriazi, si edhe gjeneralmajorin Maksim Hamza Malaj.
PADITE
Referuar burimeve zyrtare të Gjykatës së kryeqytetit, i pari në dyert e institucionit të Drejtësisë ka qenë gjeneralmajori Arian Zaimi. Kërkesë-padia ku ai është në rolin e paditësit, është regjistruar në gjykatë më 13 janar të këtij viti dhe dosja me emrin e tij mban numrin 7206. Si palë e paditur në këtë kërkesë janë regjistruar Ministria e Mbrojtjes dhe Presidenti i Republikës. Vetëm pak ditë më pas, me një kërkesë për shfuqizimin e dekretit të Presidentit që e shkarkoi nga detyra, i është drejtuar gjykatës edhe ish-komandanti i Forcave Detare, kundëradmirali Kudret Çela. Padia e tij mban numrin 7316 dhe është regjistruar më 18 janar në gjykatë. Të paditur prej tij ishin ministri i Mbrojtjes dhe Presidenti i Republikës. Sipas burimeve, kërkesëpaditë e dy ushtarakëve të lartë kishin të njëjtin objekt. Ata pretendonin shfuqizim të dekretit të Presidentit dhe urdhrit të ministrit të Mbrojtjes, si edhe mosndëprerje të pagës deri në një riemërim në detyrë. “Shfuqizim i dekretit 7188, datë 16.12.2011, i Presidentit të Republikës. Shfuqizim i urdhrit nr. 2091, datë 29.12.2011, i ministrit të Mbrojtjes. Detyrimi i palës së paditur, Ministria e Mbrojtjes, për t’i paguar pagën e plotë paditësit deri në emërimin një detyrë të përshtatshme për gradën ushtarake”, thuhej në objektin e kërkesë-padisë së Çelës dhe Zaimit.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











