SHKODER – Plot 143 persona mbi 100 vjeç figurojnë të regjistruar ende në regjistrat e gjendjes civile të Shkodrës. Kjo për faktin se ata nuk janë çregjistruar ende nga familjarët e tyre. Gjendja civile, e ndodhur përpara një fakti të tillë, afishon listën e personave mbi 100 vjeç dhe që vazhdojnë të jenë ende të regjistruar si të gjallë në regjistra. Janë 143 persona, të cilët edhe pse kanë mbushur moshën 100 vjeç, janë mes të gjallëve. Mësohet se mosha e tyre është nga 101 deri në 156 vjeç. Personat në moshë më të madhe janë dy 156-vjeçarë: Hava Pepa, e lindur në Tuz të Malit të Zi dhe Mark Matranga, i lindur në Temal të Shkodrës. Madje, emrat e tyre mund të figurojnë dhe në listat për votime. Zyra e gjendjes civile nuk mund të bëjë çregjistrim të tyre, pasi sipas rregullores, duhet të jenë familjarë të këtyre personave që të bëjnë deklarimin e të afërmve të tyre të vdekur. “Ne kemi bërë afishimin e plotë të listës së këtyre emrave dhe u bëjmë thirrje qytetarëve që të shohin nëse mes tyre kanë të afërm. Duhet të bëhet çregjistrimi, pasi po na dalin probleme”, pohojnë burime nga gjendja civile në Shkodër. Sipas tyre, afishimet do të bëhen edhe në vende të tjera publike. “Ne e dimë se këta persona janë të vdekur, por nuk kemi mundësi juridike dhe ligjore që t’i çregjistrojmë. Kemi vënë në lista emrin dhe mbiemrin e personit, atësinë, mëmësinë, datën e lindjes, seksin dhe vendlindjen”, sqarohet nga drejtues të Gjendjes Civile. Nga lista shihet shumë mirë se gjeografia e vendlindjes së këtyre personave është e ndryshme. Ky grup personash ka një shtrirje të gjerë përsa i takon vendlindjes. Numrin më të madh e kanë të lindurit në Shkodër, qytet apo fshat, si dhe ato në zonat shqiptare jashtë kufijve shtetërore, por ka edhe me vendlindje Turqi, kryesisht Stamboll dhe Itali, Romë. “Nga 143 personat që figurojnë në këta regjistra, 98 prej tyre kanë lindur në rrethin e Shkodrës, 31 në rrethe të tjera dhe që më pas janë vendosur në Shkodër, 3 të tjerë kanë lindur në Stamboll, 3 në Itali (Romë dhe Napoli), 5 në zonat shqiptare të Malit të Zi, dhe 3 në Kosovë”, saktësojnë burimet nga gjendja civile. r.d











