TIRANE – Gjendet në Kamzë trupi i pajetë i 12-vjeçares që ra aksidentalisht në lumë nga një urë e improvizuar me dërrasa, në lagjen Babrru të Tiranës. Dy ditë pas ngjarjes, trupi i Emiljana Mekës është gjetur mëngjesin e djeshëm në bregun e Lumit të Tiranës, poshtë urës së Institutit Bujqësor, në Kodër-Kamëz. Ka qenë një kalimtar i rastit, i cili mëngjesit e djeshëm ka parë kufomën në një grumbullim plehrash në breg të lumit dhe menjëherë ka lajmëruar në sallën operative të Policisë. Drejt vendit ku është dhënë informacioni nga personi i prezantuar me emrin Julian, kanë shkuar forcat e Komisariatit Nr.5 dhe trupi i pajetë është identifikuar menjëherë nga ana e grupit hetimor. Burime nga Policia e kryeqytetit konfirmuan dje se trupi i pajetë i gjetur në breg të lumit të Tiranës është 12-vjeçarja Emiljana Meka, e cila ra aksidentalisht nga ura pranë shtëpisë së saj, mbrëmjen e së martës. Trupi i pajetë i vajzës u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku iu nënshtrua autopsisë. Policia ka ushtruar kontrolle gjatë gjithë ditës së mërkurë përgjatë rrjedhës së lumit, nga vendi ku ra Emiljana Meka, në Babrru, e deri në afërsi të Kamzës, por nuk arriti të gjente trupin e të miturës, për shkak se uji ishte i turbullt. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës rreth orës 17:00, në lagjen “Shpat” të Babrrusë, kur 12-vjeçarja Emiljana Meka ishte duke luajtur në afërsi të një ure me dërrasa e ndërtuar nga vetë banorët. Më pas, në momentin kur vraponte mbi urë për t’u kthyer në shtëpi, ajo rrëshqiti duke përfunduar në shtratin e lumit, që për shkak të reshjeve kishte shumë prurje. Dëshmitarë të ngjarjes thanë pas ngjarjes se vajza humbi ekuilibrin dhe përfundoi në lumë. Polumbarët e forcave RENEA dhe banorë të zonës nisën menjëherë kërkimet, por nuk arritën të gjenin trupin e vajzës, për shkak të ujërave të vrullshme të lumit.











