Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar dje sërish Partinë Socialiste si përgjegjëse për refuzimin e marrjes së statusit të vendit kandidat. Kryetari i Partisë Demokratike mori pjesë në Kongresin XX të Partive Popullore Europiane në Marsejë të Francës, ku në qendër të diskutimeve është kriza ekonomike. Në fjalën e tij, kreu i Ekzekutivit u shpreh se “projekti i integrimit të Shqipërisë në BE është i vetmi projekt për vendin tim. Opozita, pasi humbi zgjedhjet lokale me një humbje shumë të gjerë, pranoi ekzaktësisht atë çfarë unë u kisha ofruar përgjatë dy viteve. Por, përgjatë dy viteve statusi u bllokua, sepse ata kurrë nuk pranuan të votonin asnjë reformë të BE-së në Parlament. Ata nuk pranuan të votojnë në Parlament. Megjithatë, tani, falë zgjedhësve shqiptarë, jeta i është kthyer normalitetit, mësimet u nxorën dhe ju siguroj se ne mbetemi të angazhuar dhe do të qëndrojmë me principet që ndajmë së bashku”. Ai iu rikthye edhe njëherë ngjarjeve të dy viteve të fundit, kur Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe kreu i saj, nuk dha dorëheqjen, siç ishte parashikuar në statut. “Gjithë jetën time politike, si një njeri i lirë, kam besuar se Europa përbëhej kryesisht nga e djathta qendrore, por alternativa ishte gjithashtu jetësore për sigurinë e demokracisë në këtë kontinent. Kështu, mendoja se socialistët europianë, për aq kohë sa respektojnë shtetin ligjor, janë për të mbrojtur votën. Pas vitit 2009, të dashur miq, lideri i opozitës socialiste mbajti qëndrimin që nuk i njihte zgjedhjet. Në të njëjtën kohë ai mblodhi Kongresin, ndryshoi statutin, në të cilin shkruhej: Nëse lideri humbet zgjedhjet, ai duhet të jap dorëheqjen; dhe vendosi një nen: Kur lideri humbet zgjedhjet, kur partia humbet zgjedhjet, lideri nuk duhet të japë dorëheqjen. Ky ishte problemi i tij, jo i imi. Filluam dialogun në Parlamentin Europian me të dyja grupet, me besimin tim të thellë, që pavarësisht spektrit, vota e lirë është e njëjtë për të gjithë. Fatkeqësisht, duhet t’ju them që ky nuk ishte rasti i disa socialistëve atje. I jam mirënjohës Joseph Daul që në një moment kyç u ngrit dhe tregoi të vërtetën se çfarë ndodhi”, u shpreh Kryeministri Berisha. Pas deklaratave të kreut të qeverisë shqiptare fjalën e mori kryetari i Grupit Parlamentar të Partive Popullor Europiane, Joseph Daul, i cili vlerësoi punën e Kryeministrit, ndërsa Ramën e quajti një të sëmurë mendor. “Miku im Berisha, të falënderoj për gjithë punën që ke bërë për të ndaluar gjakderdhjen. Ti ke të drejtë dhe unë e di që ne kemi kaluar së bashku disa net pa gjumë me kandidatin socialist, që ndofta është pak i sëmurë mendor. Bashkë me Martin Shulz ne kemi arritur bashkë me ty dhe në sajë tënd të ruajmë shumë jetë njerëzore dhe të respektohen të drejtat e njeriut. Meqenëse ti ke dhënë këtë kontribut për vendit tënd, ti e meriton këtë duartrokitje, zoti Berisha”, u shpreh Daul.











