Gjata: Fletët në kutitë e gabuara prodhojnë rezultat

May 17, 2011 | 9:45

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, shprehet se votat e gjetura në kutitë e gabuara nuk mund të shpallen të pavlefshme, por duhet të prodhojnë rezultat.Sipas tij, në garën e Tiranës duhet të ketë një proces për verifikimin e çdo procesverbali, në kushtet kur rezultati është kaq i ngushtë.
Z. Gjata, aktualisht KQZ nuk ka një rezultat, edhe pse procesi i numërimit të votave ka përfunduar në Tiranë. Në këto kushte ç’duhet të bëjë KQZ që rezultati të shpallet sa më parë?
Për çështjen e rezultatit kemi dy momente. E para: a kemi rezultat? Dhe e dyta: kush e shpall rezultatin? Prandaj le të marrim të dytën. Rezultatin nuk e shpallin as vëzhguesit, as kandidatët, as partitë, as media, as publiku. Rezultatin e shpall vetëm KQZ. Përderisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka, atëherë nuk kemi rezultat. Në kushtet kur rezultati është kaq i ngushtë sa pretendohet, 10 për njërin ose për tjetrin, është kthyer në fat ose në shans. Rezultatin e shpallin vetëm institucionet. Nëse rezultati do të ishte mbi 550 vota, apo le të themi 200 vota, atëherë mund të dilnin kandidatët, por kur kemi një rezultat sa gishtat e dorës, atëherë këtu nuk kanë më punë të shpallin rezultatin. Duhet të presin verdiktin e institucioneve, madje me shumë rigorozitet. Palët duhet ta presin në emër në stabilitetit këtë verdikt. Ky rezultat kaq i ngushtë nuk justifikon asnjë thirrje për destabilitet. Askush nuk ka të drejtë morale të pretendojë që po i vidhen votat, apo po i ndodh diçka e tillë. Sepse s’ka rezultat për këtë. Si e shpall KQZ-ja? Për këtë duhet të shohim procedurën e nenit 123, paragrafi i parë, ku unë do të shkëpus çerekun e një fjalie. “Kur gjatë llogaritjes së tabelës, KQZ, kryesisht ose me kërkesë të palëve, vëren mospërputhje të shifrave të tabelës përmbledhëse me tabelën e rezultateve të qendrave të votimit, merr vendim për miratimin e saj me shifrat e korrigjuara…”. Domethënë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kryesisht ka të drejtë të rregullojë gabimet dhe këtë KQZ-ja duhet ta shohë me shumë kujdes para se të shpallë rezultatin. Ajo vërtet e ka 48 orë afatin nga ardhja e tabelës së fundit, por, për mendimin tim, edhe sikur një javë të vazhdonte vëzhgimi me kujdes i tabelave, do të ishte në të mirë të çështjes.
Në kuti të tjera, si në ato të këshillave bashkiakë, ashtu dhe në kutitë për krerët e njësive bashkiake, janë gjetur fletë votimi të vlefshme për kryetarin e Bashkisë. A mund të vlerësohen dhe të japin rezultat këto fletë votimi?
Kreu i katërt, pjesa e dytë, neni 117, pika 3 i Kodit Zgjedhor. Germat A, B, C, D, E, Ë përbëjnë kriteret për shpalljen e një flete votimi të pavlefshme. Dhe janë vetëm këto kritere dhe s’ka të tjera në gjithë Kodin Zgjedhor. Kjo, në jurisprudencë quhet dispozita laksative; që do të thotë që vetëm këto janë kriteret e pavlefshmërisë dhe nuk lejon të shpiket apo të zbulohet kriter tjetër. Gjetja e fletës së votimit në kutinë e gabuar nuk bën pjesë në asnjë nga këto germa, pra nuk bën pjesë në këto kritere. Dhe, si e tillë, nuk mund të shpallet e pavlefshme. Në qoftë se në këtë dispozitë, në këtë nen, do të ishte shtuar një germë F, këtu po abstragojmë, që do të thoshte raste kur KAZA ose KQZ e vlerëson si të pavlefshme, atëherë po, mund të themi që janë të pavlefshme. Por kjo germë në këtë dispozitë nuk ekziston. Pra ligji nuk ua ka dhënë institucioneve zgjedhore që të shpallin fletë të pavlefshme jashtë këtyre 6 germave, jashtë këtyre kritere. Gjetja e fletëve të votimit në kutitë e gabuara nuk është kriter pavlefshmërie i parashikuar në këtë ligj. Dhe, si e tillë, nuk është e pavlefshme. Çdo pretendim është jashtë kriterit. Fleta e votimi në kutinë e gabuar përjashton edhe germën A të kësaj dispozite. Pse e them që e përjashton? Sepse votuesi nuk e solli nga shtëpia atë fletë votimi, por ia dha institucioni zgjedhor dhe nuk është gabuar kutia për fajin e votuesit, por për fajin e burokracisë shtetërore, e cila ka vënë katër kuti. Dhe për këtë nuk mund të ndëshkohet votuesi. Pra ajo fletë nuk mund të jetë e pavlefshme. Ndërsa kalimi në kutinë tjetër është thjesht një gabim material. Nga këto gabime, institucionet tona shtetërore të çdo fushe bëjnë me qindra në ditë. Pra duhet të trajtohet nga KQZ thjesht si gabim material dhe asgjë tjetër. Për shembull, po marr një rast, që një vendim gjykate, i cili urdhëron të paditurin t’i lirojë të paditurit një mijë metra truall, por aty, pa dashje, e shënon 10 mijë. Pra, pa dashje, i shton një zero. Por këtë e korrigjon gjykata menjëherë. E njëjta gjë është edhe këtu. Ato fletë të dhëna nga Komisioni i Qendrës së Votimit duhet të trajtohen si gabim material dhe thjesht e kryesisht nga KQZ duhet të llogaritet dhe t’i futen rezultatit të çdo tabele të njësive përkatëse. Për shembull, janë gjetur te Njësia Nr. 1 disa fletë votimi, por ato duhet t’i shtohen kësaj tabele, dhe kjo bëhet kryesisht nga KQZ. Është thjesht një punë rutinë që e bën administrata. Në fund miratohet tabela së bashku me këto vota. Ka edhe diçka tjetër, që e drejta e votuesit është e drejtë kushtetuese. Në qoftë se zgjedhësi e ka konsumuar dhe ka shkuar për të votuar, nuk mundet që kjo e drejtë t’i kufizohet atij me një veprim administrativ.
Ka një precedent të vitit 2007 me komunën Temal. A ka pasur precedentë të tjerë në punën e KQZ-së, duke iu referuar këtij rasti?
Në 2007-n kemi pasur rreth 300 kërkesa ankimore dhe, sinqerisht, nuk mund ta kujtoj një gjë të tillë.

 

ERALD KAPRI

© Panorama.al

Te lidhura