Gjashtë shqiptarë në Everest për 100- vjetorin e Pavarësisë

Jun 3, 2012 | 13:14

Dhurata më e veçantë e bërë deri më tani për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ka qenë ajo e 6 djemve të shoqatës “Dajti Alpino-Turistik”. Flamuri me shqiponjën dykrenore është valëvitur në çatinë e botës, më pranë diellit sa asnjë herë më parë. Pas përgatitjeve fizike dhe financiare, ekipi i alpinistëve të Shoqatës “Dajti Alpino-Turistik”, ia ka arritur të ngjisë majën Everest, në lartësinë 8 mijë e 848 metra. Rrugëtimi ka qenë i vështirë dhe është ndërprerë disa herë për shkak të kushteve atmosferike. Gjashtë shqiptarë, të renditur sipas moshës e duke filluar nga më i riu- Mat’heo Begeja, Erlin Rudho, Gerti Pishtari, Fation Plaku, Gjergj Bojaxhi dhe Xhimi Begeja- kanë qëndruar fillimisht në lartësinë 5 mijë e 700 metra lartësi, ku ndodhet dhe Kampi i Ndërmjetëm. Më pas, duke iu përshtatur fizikisht dhe kushteve, ekipi shqiptar është stacionuar në Kampin Bazë të Sipërm (ABC) në lartësinë 6 mijë e 400 metra. Në këtë kamp, ekipi i është nënshtruar dy herë procesit të aklimatizimit, i nevojshëm pasi përshtat fizikun e alpinistëve me kushtet e malit dhe mungesën e oksigjenit. Më pas ka pasur ngjitje deri në Kampin 1, në lartësinë 7 mijë e 100 metra dhe këtu sërish ka pasur aklimatizim. Në tentativat për të pushtuar majën më të lartë në botë, 6 alpinistët që shoqëroheshin dhe nga një guidë profesionale vendëse kanë arritur të ngjiten deri në 7 mijë e 400 metra dhe janë ndalur për shkak të motit të keq. Më pas është bërë ngjitja deri në Kampin 3, i fundit vend ku mund të strehohesh dhe që gjendet në lartësinë 8 mijë e 300 metra. Në Kampin 3 alpinistët kanë pushuar pak orë dhe nisja për në 8 mijë e 848 metra u bë rreth orës 21:00, ngaqë në Faqen Veriore të majës së Everestit nata është pa erë. Në datat 25 dhe 26 maj, favorizuar dhe nga moti i mirë, ekipi i parë shqiptar në Everest ka valëvitur flamurin e kuq me shqiponjën dykrenore në majën e Everestit. Gjithë kjo sfidë përballë malit dhe motit ka zgjatur disa ditë. Ekipi pritet të vijë në Tiranë pasditen e së mërkurës që vjen, më datë 6 qershor. Ekipi u nis për në Everest në mes të muajit prill dhe u deshën rreth 4-5 javë udhëtim dhe ngjitje për t`i dhuruar Shqipërisë valëvitjen e flamurit në majën më të lartë të botës.

© Panorama.al

Te lidhura