Hamza, Oseku, Leka, Myrtezaj, Përmeti dhe Isufi, së bashku në “Gjashtë në një”
Një vogëlushe me sy të gjelbër të trishtë, që mban pak kokën mënjanë si e turpëruar, të fton të hysh në galerinë “Harmoni” të shohësh ekspozitën “Gjashtë në një”, që 6 artistë kanë hapur në katin e dytë të qendrës “Hekla”. Kujdes se mos bëni gabim edhe e puthni apo përkëdhelni, edhe pse ajo është çamarroke e të bën për vete… Prindërit ia kanë qëndisur në grykësen që mban në qafë: “Mos më puth!”. Në fakt, kjo është dëshira e prindërve, ajo vetë ndoshta nuk do kishte ndonjë gjë kundër. Kjo e bën atë paksa më ndryshe nga fëmijët e tjerë, parulla e shkruar mbi gjoks krijon distancë e këtë e dëshmojnë edhe sytë e saj. Këta janë fëmijët “modernë”, ose më saktë fëmijët e prindërve modernë që jo rrallë kujdesen për fëmijët deri në mani, duke u injektuar atyre doza palumturie. Piktori Ardian Isufi ishte çuditur kur ishte ndeshur me këtë fenomen teksa çonte e merrte vajzën e tij nga kopshti dhe vendosi të realizojë një tablo gjigante. Pikturoi vajzën e vet, por me grykësen e dikujt tjetër. Në ekspozitën “Gjashtë në një”, Isufi paraqitet me disa punë që marrin shkas nga fëmijëria. Është fëmijëria e fëmijëve të sotshëm, që duket sikur nuk e kanë një të tillë, që lëvizin në hapësirat dhe mundësitë e krijuara prej të tjerëve e ndonjëherë duket sikur janë të burgosur. Me karakter personal janë edhe punët e piktorit Vladimir Myrtezaj, ku në dy tablo të tij, përmes imazheve gati naive dhe materialeve mikse, luan me kujtimet, me fëmijërinë, me portretin e tij parë nga një sy fëmije. Punët duket si një palimsest, që pas çdo njërës shtresë fshihet një tjetër. Najada Hamza i qëndron besnike ateliesë së tekstilit, të cilën ajo drejton. Për së largu seria e tablove me të cilat ajo paraqitet duken si portrete, por në fakt personazhet e saj janë shapka femrash, të trajtuara si personazhe. Jo vetëm sepse drejton një atelie tekstili, por edhe si femër ajo e di se sa rëndësi i japin këto të fundit këpucëve. Por ndonjëherë kjo kthehet edhe në mani, duke mbushur hapësira e vitrina me këpucë lloj-lloj ngjyrash. Dhe në të njëjtën faqe muri të galerisë me personazhet-këpucë, shtrihen hapësirat e pafundme të Ali Osekut. Prej kohësh piktori qëndron i palëkundur mes peizazheve të tij, qiell, det, tokë, re, që herë-herë vijnë të trëndafilta, herë ngjyrë okër, herë bojë qielli, herë ndërthurje nuancash. E tillë është edhe tabloja që ka sjellë në këtë ekspozitë, por në tokë-qiellin e tij kësaj here ka edhe një element të shtuar, i cili nuk është mirë i identifikueshëm, por e lë shikuesin të përqendrohet e të imagjinojë herë një televizor, që duket sikur do të na prishë qetësinë me çdo kusht, por mund të jetë edhe thjesht një poltron që shërben për t’u ulur e për të shijuar qetësinë. Dhe nga shkrirja me të pafundmen, kthehesh tek vetvetja duke u përballur me tablonë me ngjyra të errëta e mistike të piktorit Gazmend Leka. Tabloja e paraqitur është shkëputur nga cikli i tij “Kutia e zezë”, që të nxit të shohësh brenda vetes e të zbulosh gjithë përbindëshat që fshihen aty, herë sfinksa e herë cerberë… E aty pranë të presin rrugët gjarpëroshe të Genc Përmetit. Në të vërtetë tabloja nuk është gjë tjetër veçse një copëz gjetheje gjigante, e cila nga një farë distance të duket si një reliev malor i parë prej lartësive. Kapilarët e gjethes duken si rrugë të thepisura, që të ftojnë t’i sfidosh. Edhe në ekspozitën që i parapriu kësaj të fundit, titulluar “Odisea ime”, Përmeti paraqitej me një terren të tillë, por me hapësira më të mëdha. E pasi ke udhëtuar pas në kohë te fëmijëria, e ke krahasuar me atë të fëmijëve të sotshëm, ke reflektuar e ke parë brenda vetes, në të dalë të ekspozitës përshëndetjen e fundit ta jep një tjetër tablo me përmasa të mëdha e Genc Përmetit, ku paraqitet një femër me një tors të lakuriqtë e që në fytyrë mban një gjysmëmaskë. Është një situatë e njohur. Shpeshherë është vështirë që tek shumë njerëz që njohim të dallosh se cila është maska dhe cila është fytyra e vërtetë.
Çdo ditë një takim
Ndryshe nga ekspozitat e tjera që këta gjashtë artistësh kanë hapur së bashku, kjo e fundit nuk ka një koncept të mirëfilltë kuratorial, apo një temë-fije lidhëse e punëve të paraqitura. Duke e konsideruar si një ekspozitë fundviti, secili prej artistëve ka paraqitur disa punë që përfaqësojnë më së miri krijimtarinë e tyre. Ajo që e bën të veçantë ekspozitën e kësaj radhe është marrëdhënia me publikun. Çdo ditë në ekspozitë do të jetë njëri nga piktorët, i cili do të flasë me publikun për punën e tij, për laboratorin krijues, pse jo dhe për jetën artistike. Kështu që “Gjashtë në një” nuk është thjesht një ekspozitë, por edhe një pikë takimi me artistët.
ALMA MILE
© Panorama.al











