
Ekspertët zbulojnë gjurmët për të identifikuar autorin.
Policia e Durrësit është përqendruar në tri pista hetimi për vrasjen e emigrantit të sapokthyer nga Greqia, Fatbardh Hysa. Konfliktet familjare për motive xhelozie përbëjnë një prej pistave, pasi dyshohet që 34-vjeçari të kishte një lidhje jashtëmartesore. Sipas Policisë, familjarët e viktimës nuk kanë bashkëpunuar për të konfirmuar një dyshim të tillë. Një tjetër pistë është një konflikt i mundur i viktimës në shtetin fqinj, Greqi, ndaj po hetohet veprimtaria e tij atje. Ndërsa pista e tretë ku janë fokusuar ekspertët e kriminalistikës, është që Fatbardhi mund të jetë masakruar me levë e thikë, pasi kanë tentuar ta grabisnin. Sipas deponimeve që familjarët kanë bërë në polici, 34-vjeçari kishte dalë pasi dikush e kishte thirrur në telefon dhe se ai kishte pasur me vete një shumë të madhe parash. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se provat e mbledhura në vendngjarje do të çojnë në identifikimin e autorit. Madje, të njëjtat burime saktësojnë se kanë një shtetas të dyshuar dhe se ky i fundit po mbahet nën vëzhgim nga ana e Policisë. Oficerët që janë angazhuar për zbardhjen e kësaj çështjeje thanë se kanë gjetur shenja gjaku në trupin e viktimës, por që nuk i përkiste këtij të fundit. Gjaku që nuk rezulton të jetë i 34-vjeçarit, është dërguar në laborator ku do t’i nënshtrohet analizave të ADN-së.

“Kemi një të dyshuar për vrasjen e shtetasit Fatbardh Hysa, por për arsye hetimesh nuk mund të bëjmë të ditur identitetin e tij”, bënë të ditur burime të Policisë. Provat e lëna në vendin e ngjarjes nga ana e autorit e kanë “tradhtuar” atë. Bëhet fjalë për gjurmët e gjakut që u gjetën në trupin e viktimës, që mendohet se janë kampionë të të dyshuarit. Të njëjtat burime saktësojnë se rezultati i analizave të gjakut do të jetë përcaktues në identifikimin e autorit. Duke u nisur nga provat e gjetura në vendin e ngjarjes, policia dyshon se në vrasjen e 34-vjeçarit ka marrë pjesë më shumë se një person. Babai i dy fëmijëve të vegjël, i cili ishte kthyer rreth orës 08:00 të datës 22 dhjetor nga shteti grek ku jetonte prej disa vitesh është gjetur i vrarë 48 orë më vonë, në një godinë të pabanuar, nga banorët e zonës së ish-Kënetës. Familjarët e viktimës kishin bërë denoncim në polici për zhdukjen krejt papritur të tij.
Denoncimi
Sipas deklarimit të dhënë në polici nga familjarët e viktimës, rreth dy orë pasi është kthyer nga Greqia, dikush e kishte telefonuar. Fatbardh Hysa ka dalë nga shtëpia duke u thënë familjarëve se nuk do të vonohej. Por më pas ai nuk është kthyer më. Të shqetësuar nga vonesa, të afërmit i janë drejtuar policisë për ndihmë, por 34-vjeçari u gjet i masakruar nga disa banorë të zonës së ish-Kënetës.
Pista e xhelozisë
Një ditë pas ngjarjes, Policia hodhi dyshime se vrasja mund të kishte si motiv një konflikt të hershëm familjar. Dyshohet se 34-vjeçari Fatbardh Hysa ka pasur një lidhje jashtëmartesore dhe se për këtë qëllim, persona ende të paidentifikuar janë hakmarrë ndaj tij duke e masakruar me thikë e levë në trup dhe në kokë. Por Policia e Durrësit bëri të ditur se nuk përjashtohen edhe pista të tjera hetimi, me të cilat janë duke punuar ekspertët e kriminalistikës.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











