Gëzim Uruçi, një jetë në kërkim të shpellave

Mar 17, 2011 | 10:09

Në qytetin e biçikletave, biçikleta e tij është më e veçanta. Ajo shëtit nëpër rrugicat e Shkodrës me tri rrota.62-vjeçari e ka modifikuar atë me duart e tij, për të sfiduar sëmundjen e cila 12 vjet më parë e la invalid. Po kjo nuk e ndali Gëzim Uruçin, eksploratorin më të madh shqiptar, që të eksplorojë 3200 shpella në të gjithë botën, 700 maja malesh, apo të ngulë flamurin shqiptar në Polin e Veriut. Atë mund ta gjesh çdo ditë nëpër kafenetë e Shkodrës, duke kaluar “do” kohë me miqtë e duke u përgatitur për të qenë pjesë aktive e ekspeditave ndërkombëtare. “Kam kenë vetëm 5 vjeç, në pranverën e vitit 1950, kur im atë më mori me vete dhe u ngjitëm në një mal afër fshatit Gur i Zi në Shkodër. Kërkuam tërë ditën, deri në muzg, kur im atë dhe unë hymë në një zgavër të errët, për mua e frikshme, e për tim atë shumë misterioze”, tregon i përhumbur në kujtime Gëzimi. Ai, atëherë fëmijë, nuk e kishte kuptuar që sapo kishin zbuluar shpellën e Gajtanit, duke nisur kështu aventurën e përjetshme të alpinizmit dhe eksplorimit. Ky ishte vetëm fillimi i një pasioni të madh në fushën e speleologjisë për shkodranin Gëzim Uruçi, i cili mban titullin Profesor Honoris në shkencat speleologjike.
Jeta e dyfishtë
Jeta e Gëzim Uruçit është ndërtuar mbi dy paralele, aspak të ngjashme me njëra-tjetrën. Njëra paralele është ajo e pasionit të tij mbi malin, shpellat, aparatin fotografik të pandarë, me makinën e tij të shkrimit, me librat dhe me studimet e panumërta, me sportin dhe muzikën. Duket se këto motive të bukura për të jetuar, ia ka shkarravitur e përditshmja, ajo që e dërgonte sa në fermë si punëtor i thjeshtë, pastaj si nxënës këpucar, më vonë si xhenerik e mekanik. Duke sfiduar të përditshmen jo fort të këndshme, në betejën pa fund për të mbajtur familjen e tij, Gëzim Uruçi ushqente çdo ditë e më fort pasionin për speleologjinë. Këtë sport, që ne shqiptarët e njohim fare pak, ai e ka trashëguar nga babai i tij, Myftar Uruçi. I ati, i diplomuar në Perëndim në vitin 1936, krijoi në Shkodër me disa shokë të tij, shoqërinë e bjeshkatarëve e shpellarëve, si pjesë e shoqërisë “Vllaznimi” dhe më pas, në vitin 1970, ai krijoi grupin e parë të speleologëve shqiptarë. Mes mijëra eksplorimesh, Gëzimi veçon me shumë emocion, 14 tetorin e vitit 1994, ku për herë të parë ka vendosur në Polin e Veriut flamurin shqiptar, për të shkelur më pas tërë shpellat më të mëdha të Europës. “Jam ngjitur në të gjitha majat më të larta të Europës, Afrikës, Azisë etj., pa llogaritur të gjitha majat e Alpeve Ilirike të Shqipërisë. Më interesantet kanë qenë Alpet e Francës dhe të Austrisë, Zermatit, Obersdorfit në Gjermani, Spanjës, Pirenejtë, Alpet e Italisë, ish-Jugosllavisë, Kosovës, Maqedonisë dhe në veçanti ato të Bullgarisë”, tregon Gëzim Uruçi. Zhvillimi i speleologjisë do i çonte arkeologët në zbulime të rëndësishme, si mbishkrime të lashta, instrumente litikë, piktura neolitike etj. Gëzimi veçon si më të rëndësishmet zbulimin e shpellave të Gajtanit, zbulimin e autografit të at Shtjefën Gjeçovit, dhe zbulimin e varrit të një kirurgeje ilire, në fshatin Mëlgushë, në Shkodër, e cila ishte e veshur me një xhubletë, thuajse origjinale si këto të sotshmet. I përkiste shekullit III – II p.e.s. Ai tregon se të dhënat që grumbullonin ia dorëzonin Akademisë së Shkencave.
Aventurat e rrezikshme
Eksplorimet nuk janë një sport i thjeshtë, e për më tepër, ato shoqërohen nga një rrezik i vazhdueshëm, ku çdo çast pakujdesie mund të jetë fatal. Sipas Gëzimit, speleologjia është një natyrë krejt unike e eksplorimit në të cilën duhet “të dish të kthehesh”. Pra, e shpjeguar prej tij, një speleolog duhet të llogaritë gjithçka shumë mirë, në mënyrë që kur të shkojë në fund të shpellës, të ketë pajisjet e duhura për të dalë lart. Duke rrëfyer për emocionet dhe rrezikshmërinë, ai tregon se mjetet që përdoreshin në rininë e tij ishin primitive, pasi mungonin pajisjet e posaçme dhe teknika përkatëse. “Këto mjete prodhoheshin nga ne, si gozhdët për shkëmbinj, ganxhetat, shkalla prej litari etj. Përdornim dhe mjetet e alpinizmit. Për kaskë mbrojtëse merrnim kapele minatorësh, të cilat i gjenim privatisht me anë të lidhjeve shoqërore e miqësore me minatorë”, tregon 62-vjeçari. Ai thotë se ishte tepër e rrezikshme futja e lëvizja nëpër hapësirat e sifoneve, të cilat janë gropa në formë omega, si vezore të mbushura me ujë, në pozicione të ndryshme nën tokë, në thellësi 150-300 m. “Ne prodhonim vetë edhe pajisjet e zhytjes. Maskat e fytyrës i bënim me lozen e gomave të vjetra të makinave, të cilat nuk përdoreshin më. Tek sytë vinim xham të zakonshëm, si dhe faqe gominash të makinave Centauer. Tubat lidhës i modifikonim me tuba gome të ndryshëm, dhe këto i bënim në fshehtësi. Kjo për faktin se nuk lejohej përdorimi tyre, pasi mund të përdoreshin për arratisje”, rrëfen Uruçi. Përveç anës teknike, dhe të papriturat e rrezikshme nuk kanë munguar. “Më kujtohet shkurti i vitit 1983, në një humnerë të veshur me akull, ku kaluam natën në mes të akujve në një temperaturë minus 37 gradë celsius bashkë me kolegët e mi”, tregon Gëzimi. Një aventurë tepër e rrezikshme ka qenë në vitin 1974, kur një grup alpinistësh çekë kishin mbetur në Murin e Majës së Harapit, në një shkëmb prej 3400 metrash. Gëzimit iu desh që të varej prej helikopterit me tetë litarë kolektivë për t’i ndihmuar. Afrimi me helikopter i tmerroi alpinistët çekë, të cilët kishin tre ditë pa ngrënë e pa pirë. Pas shumë peripecive arriti t’i afrohej alpinistit të parë, i cili ishte në gjendje të mirë, por pak i frikësuar, ndërkohë që kolegu i tij ishte tepër i shokuar. “Alpinisti çek, nga tmerri ishte lidhur me tërë litarin për shkëmbi, duke refuzuar të vinte me mua. Filloi përleshja ime me çekun, që kundërshtonte. Në këto kushte tepër kritike, një goditje e imja e papritur, e trullosi dhe me një shpejtësi marramendëse e lidha dhe e sigurova në rripin tim të sigurimit. Por nuk kishim mbaruar akoma. Mora thikën alpine dhe me shumë vështirësi i preva rreth 10–12 fije litari, me të cilat ishte lidhur për t’u siguruar në momentet e pasigurisë e të tmerrit”, tregon Gëzimi, të cilit ankthi i reflektohet ende në sy. Ai rrëfen se në ato momente vareshin të dy në një fije litari duke besuar në një fitore hyjnore të shpëtimit të jetës së dy alpinistëve të huaj, njëri prej të cilëve shpëtoi vetëm prej goditjes së Gëzimit që e la pa ndjenja. Kjo aventurë e jashtëzakonshme përfundoi me shpëtimin e dy jetëve njerëzore.
Enkciklopedia brenda një apartamenti
Gëzim Uruçi jeton brenda një muzeu privat. Në apartamentin ku banon së bashku me familjen e tij, në katin e pestë të një pallati në qytetin e Shkodrës, arkivi, fototeka e biblioteka kanë zënë çdo hapësirë. “Ma kanë dhanë mbasi kam projektuar shatërvanin në qendër të qytetit. Deri atëherë isha vetë i katërt në një dhomë të vetme. Po edhe këtë deshën të ma zinin në fillim”, kujton Gëzimi. E gjithë historia e Shkodrës në foto, historia e alpinizmit dhe e sporteve të tjera në Shqipëri, speleologjia shqiptare, personazhe të njohur e të panjohur, të gjithë flenë në raftet e Gëzimit që kanë nisur të harkohen, ca nga pesha e rëndë e historisë. Në çdo mur të apartamentit të tij shikon të ekspozuara objekte të gjetura në shpella apo gërmime arkeologjike. Biblioteka e tij personale është ndër më të mëdhatë, ku mund të gjesh mjaft literaturë për gjeografinë dhe speleologjinë. Uruçi tregon se në vitin 1990 ka pasur një ofertë të turpshme nga shteti i atëhershëm, për t’ia dhuruar bibliotekën në këmbim të një vendi pune si mësues në një fshat afër Shkodrës.  Ai ruan në fototekën e tij filma dhe foto të bëra me teknikë dixhitale, rreth 1.300.000 të tilla të skeduara me indeks shkencor, sipas sistemit të fototekës ‘Marubi’. Vetëm letërkëmbimi i familjes dhe i tij përmban rreth 13.000 letra, në 18 gjuhë të ndryshme të botës, ku nuk mungojnë ato me 70 universitete të huaja dhe 30 akademi. Literatura që ka biblioteka familjare e tij, i përket fushave të etnografisë, astronomisë, arkeologjisë, speleologjisë, muzikës empirike, mjekësisë antike etj. Për sistemimin e ruajtjen e kësaj pasurie e ndihmon dhe vajza e tij.

Titujt e nderit

Titujt e nderit
Aktualisht, 62-vjeçari merr pjesë çdo vit në mjaft konferenca ndërkombëtare, duke mbajtur mbi supe një numër të madh çmimesh dhe vlerësimesh ndërkombëtare:
– Ka marrë Çmimin e Republikës, në Arkitekturë, për Shatërvanin e Shkodrës 1989.
– Në vitin 1994, Unioni Internacional i Speleologjisë në Bruksel i dha titullin “Profesor Honoris”.
– Në 1995, renditet ndër autoritet shkencore më të shquara të shek. XX në botë nga Instituti i Biografive në Kembrixh të Anglisë.
– Në 2002, emri i tij radhitet ndër autoritetet shkencore më të shquara të shek. XXI, në botë, nga Instituti Amerikan i Biografive në SH.B.A.
– Çmimin “Juri GAGARIN” në astronomi, I.K.K.A (për kulturë astronomike)
– Medaljen “PIPISTRELI i ARTË”, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Federatës Bullgare të Speleologjisë.
– Mban shumë tituj e dekorata në fusha të ndryshme nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë.

 

ESIONA IKONOMI

© Panorama.al

Te lidhura