Rreth 7 muaj pas ardhjes në jetë të vajzës, Gerta Heta u është rikthyer argëtimeve. Për më tepër, shumë në formë dhe fashion. Dalja e parë publike e këngëtares dhe moderatores ka qenë një event i organizuar nga Petri Bozo, promovimi i kalendarit të miss-eve. Çka do të thotë qe festa ishte e mbushur plot me bukuroshe elegante, por po me këto cilësi u shfaq edhe Gerta. Me një grim të errët që i shkon dimrit dhe me një veshje të stilit Burberry, ajo mund të ngatërrohej lehtë me miss-et e Petrit. Nuk dimë të themi se si ka arritur të heqë peshën e paslindjes, vetëm dimë të themi që këngëtarja dukej mjaft mirë në festë. Nusja shqiptare Gerta Heta dhe dhëndri kroat, Matko Djarmati, vunë kurorë në Tiranë vitin e kaluar, në një ceremoni martese tradicionale. Çifti vendosi të celebrojë lidhjen, vetëm pak muaj pas zbulimit të lidhjes dashurore dhe në pritje të fëmijës së tyre. Ata tashmë kanë një vajzë, Luna, e cila erdhi në jetë gjatë muajit prill. Çifti aktualisht jeton në Tiranë, për faktin se karriera e të dyve lidhet me Shqipërinë.











